Në vitin 2007, violinist me famë botërore Josh Bell mori pjesë në një eksperiment social, duke pranuar që t’i binte violinës së tij me vlerë 5 milionë dollarë në një stacion metroje. Bell është një violinist biletat e koncerteve të të cilit fillojnë nga 100 dollarë e sipër. E megjithatë, në stacionin e metrosë gati askush nuk qëndroi për të parë performancën e tij me nivel botërore. Dhe në total, Bell grumbulloi një grusht qindarkash nga kalimtarët që e ngatërruan për një lypës.

Qëllimi i eksperimentit social ishte i shumëfishtë. Njëri prej tyre, për të mbështetur teorinë e realitetit të shtrembëruar. Pra, kur një njeriu i thuhet se do të performojë violinisti më i mirë në botë, ai është i gatshëm të shpenzojë shuma të konsiderueshme për një biletë për ta ndjekur. Edhe pse në fakt, violinisti me famë botërore mund të jetë këtë herë një lypës që thjesht di t’i bjerë violinës. Por, i vendosur ky lypës në një teatër të shkëlqyer, ka shumë gjasa që të mrekullojë publikun duartrokitës.

E kundërta ndodh kur violinisti më i mirë në botë përformon një muzikë të shkëlqyer falas, në një vend të pazakontë, pothuajse askush nuk kthen kokën për ta parë. E sjellë në realitetin shqiptar, eksperimenti i Bell ka një aplikim në situatën e sotme të Partisë Demokratike. Marrim si shembull dy analistë, të dy pranë kësaj force politike. I pari, Neritan Sejamini. E dyta, Belina Budini. Zoti Sejamini, disa ditë më parë ilustroi në “Open” realitetin e tij. Sipas tij, parregullsi në zgjedhje ka pasur, por ato nuk mjaftojnë për të shpjeguar humbjen e PD.

“PD ka qenë një parti që ka konkurruar e vetme kundër PS. Sot është 200 mijë vota pas dhe e vetmja gjë që mund të bëjë është të marrë sa nga njëri krah, sa nga krahu tjetër, me shpresën që do të marrë edhe ca vota më shumë për t’iu afruar sa më afër PS, e mbase ku i dihet edhe për të fituar”, u shpreh Sejamini.

Në mënyrë objektive, ai beson se arsyet e humbjes PD duhet t’i kërkojë eksluzivisht tek vetja, sepse duhet të ketë pa dyshim arsye të brendshme që kjo forcë, nga dikur e para, po shndërrohet në një parti që humbet me një diferencë gjithmonë edhe më të madhe në zgjedhje.

E dyta, Budini ka një qëndim tërësisht të ndryshëm. Sipas saj, pyetja e vetme që duhet shtruar është përse nuk humbi qeveria. Opozita nuk ka asnjë faj që nuk fitoi. Gjithashtu, ajo thotë që numerikisht opozita ishte më e madhe në numër, që pikë së pari është e pavërtetë, sepse të gjitha votat kundër PS të shpërndara në opozitë ishin 774 mijë, ndërsa votat në favor të saj ishin 804 mijë. E pastaj vazhdon me radhë duke fajësuar kodin, narrativën e qeverisë, e madje deri aty sa në analizën e saj, PS del edhe fajtore se u fut në këto zgjedhje për të fituar dhe për këtë u angazhua më shumë se kurrdoherë tjetër. A thua se ka ndonjë vend tjetër, ku partitë në pushtet futen në zgjedhje me dëshirën për të humbur.

Eksperimenti Bell, në thelb është vetëm një i tillë. Ai nuk ofron zgjidhje, thjesht mat se çfarë ndodh me qënien njerëzore. E përsëri, për PD ka shumë mënyra për të parë të vërtetën, siç është edhe e natyrshme të jetë. Por, sot, dy javë përpara zgjedhjeve të brendshme në PD, duket më fort se kurrë se mohimi i një realiteti të qartë për këdo, vetëm sa do të bëjë që nesër demokratët të jenë në pozita edhe më të dobëta nga sa janë sot pas humbjes së 5 zgjedhjeve të fundit. Lexo.al/