Gjigandi mediatik Euronews, në kanalin Travel i ka kushtuar një hapësirë të veçantë bukurive të alpeve shqiptare të cilat ngelen të jashtëzakonshme në madhështinë e tyre për të gjithë ata që i vizitojnë.

Gazetari Andrea Danglli, i shoqëruar nga një grup çiklistësh, ka zgjedhur të përshkojë me biçikletë Alpet e shtrira në tre shtete, Shqipëri, Kosovë dhe Mal i Zi, ku ka përcjellë pasazhet e këtij udhëtimi mbresëlënës.

Me thirrjen për t’i vizituar, në përshkrimin e tij Danglli e cilëson si një përvojë të jashtëzakonshme pranë peizazheve magjepsëse.

Në videon e pasqyruar të Euronews Travel përshkohen destinacionet turistike të shtrira përgjatë Alpeve ku mund të shijosh maksimumin e adrenalinës.

“Ballkani Perëndimor është një parajsë për adhuruesit e natyrës dhe aventurave. Është një zonë e karakterizuar kryesisht nga malet, por gjithashtu ka edhe dalje në bregdet. E gjitha kjo ofron një mundësi të pashembullt për të përjetuar përvoja unike.

Për t’u mundësuar vizitorëve të huaj dhe rajonalë që ta shijojnë këtë destinacion unik, adhuruesit e aventurave dhe bizneset e udhëtimit nga i gjithë rajoni kanë krijuar një shteg për shëtitje në distancë të gjatë përmes Bjeshkëve të Nemuna, Mega-Shtegun e Rrugës Dinarike. Me një sipërfaqe prej më shumë se 500,000 km2 dhe shtrirje në jo më pak se tetë vende, ky nuk është një shteg i zakonshëm alpinizmi. Sikurse e indikon edhe emri që mban, ai me të vërtetë është një mega-shteg.

Andrea Danglli është turist dhe gazetar. Ai udhëtoi Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën me biçikletë kur përshkoi një pjesë të këtij shtegu emocionues.

Ai e përshkruan atë si “një përvojë të jashtëzakonshme”. Ai gjithashtu takoi “njerëz fantastikë” gjatë rrugës dhe “dëshmoi peizazhe magjepsëse”.

“Ia vlen t’u thuash të gjithëve se duhet t’i vizitojnë këto Alpe”, thuhet në video-mesazhin e gazetarit Andrea Danglli.
“Krahas rrugëve kryesore të Via Dinarica-s ka edhe aventura të tjera të shumta që duhet të përjetohen. Mund t’i shijoni në këmbë, biçikletë dhe madje edhe në ujë”, thuhet në shkrimin e përcjellë në Euronews ku shtohet se:

“Tregu i turizmit aventuresk po rritet me shpejtësi dhe shpresa është që këto shtigje ndër-rajonale do të tërheqin klientë me potencial, do të mbështesë ekonomitë lokale dhe do të inkurajojë praktikat e turizmit të qëndrueshëm në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Shtigjet e shumta tematike përgjatë Via Dinarica-s ndihmojnë vizitorët që e duan natyrën që të eksplorojnë trashëgiminë historike dhe kulturore, si dhe të përjetojnë mikpritjen e një rajoni tepër të larmishëm.

Një tjetër shteg shëtitjeje i zhvilluar përmes bashkëpunimit rajonal është Via Egnatia, i cili ndjek rrugën antike që dikur lidhte pjesët lindore dhe perëndimore të Perandorisë Romake.

Sot ai u ofron alpinistëve një shteg që lidh vendet historike në shtegun e “Illyricum” dhe qëndron si një simbol për lidhjen kulturore të rajonit.

Lëvizja e lirë në kufij dhe njohja e ndërsjellë e guidave turistike dhe profesionistëve të industrisë është një nga qëllimet kryesore të projektit, […] ndaj një udhëtim në Ballkanin Perëndimor mund t’i hapë sytë tuaj për bukurinë e më shumë se veç një prej kënaqësive që rajoni ofron.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Euronews Travel (@euronewstravel)