Anxhela Peristeri është kualifikuar për në finalen e madhe të “Eurovision 2021”. Artistja shqiptare ishte e para që siguroi biletën për në finale, që do të thotë se ka arritur të rrëmbejë vëmendjen e gjithë publikut europian. Këngëtarja shqiptare dhuroi një performancë të jashtëzakonshme dhe shumë të fuqishme. Ajo e shijoi në maksimum skenën dhe për asnjë moment nuk u lëkund përpara emocioneve të forta që të jep “Eurovision”.

Ditën e sotme, Anxhela ka njoftuar se ajo do të performojë e dyta në finale, pasi në short i ka qëlluar numri dy.

Nata finale e ‘Eurovizion 2021’ do të hapet nga Qiproja me këngëtaren Elena Tsagrinou dhe më pas menjëherë do të jetë përfaqësuesja jonë.

Pas kualifikimit në finale, Anxhela ka kryer edhe intervistën e parë ku ka përshkruar emocionet e saj të mëdha. Për çdo shtet ka tre pyetje, një nga gazetarët e vendit konkurrues, mediat ndërkombëtare dhe ato online.

Pyetja e gazetares shqiptare:

Si ndihesh, pasi ishe e vetme në skenë dhe ja dole që e gjithë Europa të votojë për ty dhe Shqipëria të jetë në finalen e madhe?

Anxhela Peristeri: Nuk kam fjalë të përshkruaj ndjenjat e mia tani. Ishte mahnitëse, sepse isha e para dhe nuk e prisja këtë. I dua të gjithë shqiptarët që më votuan, të gjithë shtetet europiane, jam shumë mirënjohëse. Ndihem shumë e lumtur tani. Faleminderit!

Shtypi ndërkombëtarë përfaqësuar me Polonininë:

Si është “Karma” jote tani?

Anxhela Peristeri: E dua “Karmën” time, do të jem një njeri i mirë për pjesën e mbetur të jetës…

Ndërsa nga gazetarët e mediave online pyetja ishte:

Si ndihesh tani që Shqipëria është për herë të tretë radhazi në finalen e madhe të “Eurovision”?

Anxhela Peristeri: Ndihem e lumtur, sepse Shqipëria e meriton, jemi një vend i vogël, por kemi artistë shumë të mirë. Të gjithë duhet ta njohin vendin tonë dhe muzikën tonë.