Ka vetëm një çështje në të cilën është fokusuar kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në zgjedhjet për kryetar; Procesi i 25 Prillit. Që sipas tij ishte një masakër zgjedhore.
Kjo është thembra e Akilit për tre kandidatët përballë tij të cilët ia faturojnë humbjen dështimit të Lulzim Bashës.
Vetë kryetari në detyrë pretendon të kundërtën; Se zgjedhjet u përgatitën të vidhen nga kundërshtari politik dhe se pikërisht kjo duhet të jetë motoja dhe beteja që duhet të ndjekin demokratët. Basha thotë betejë deri në fitore por se cilës fitore te dukshme, ai nuk sqaron më gjatë.
Ai nuk është fokusuar në zgjedhjet brenda partisë se çfarë do të ndryshonte apo reformonte. Gara e tij duket formale dhe krejtësisht politike, pa angazhime apo premtime për mënyrën se si duhet që vetë PD-ja si organizate politikë të ece përpara.
Basha nuk ka paraqitur një platformë për PD-në se çfarë synon të ndryshojë në katër vitet e ardhshme si kryetar.
Ndryshe ka ndodhur me kandidatët përballë tij.
Fillimisht Agron Shehaj e bazon garën e tij në argumentin se vetë Basha nuk mund ta çojë PD-në në fitore. Brenda partisë ai është fokusuar në pak çështje. Ai synon ndryshimin e statutit duke i ndaluar mundësinë për rikandidim çdo kryetari që humbet zgjedhjet; kandidatët për postet politike si deputetë, kryetarë bashkie duhet të zgjidhen përmes parimit “një anëtar një votë” si dhe bllokimi i financimeve për PD-në, nga sipërmarrës të mëdhenj, përfitues të fondeve publike apo të përfolur në afera.
Ndryshe nga Agron Shehaj, Fatbardh Kadilli ka disa propozime me radikale.
Sipas tij, në PD duhet të sanksionohet parimi i ndarjes së rolit të kryetarit nga administratori i Partisë. Mandati i kryetarit mbaron automatikisht me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve. Ai ose është Kryeministër, ose largohet.
Administrimi i Partisë duhet të drejtohet nga një këshill të urtësh që do të ketë mandat 6 vjeçar. Këshilli regjistron anëtarësinë, strukturat dhe drejton proceset zgjedhore në parti për forumet dhe kandidatët për Bashki dhe Parlament.
Ai kërkon zbatimin e parimit ‘një anëtar, një votë’ për zgjedhjen e çdo kryetari, nga seksioni te Kryetari i partisë.
Sipas tij, primaret për kandidatët për Bashki dhe Parlament, duhet të bëhen të paktën një vit përpara zgjedhjeve.
Kadilli kërkon legjitimimin e fraksioneve dhe mbi të gjitha PD-ja të ngrejë kauza të reja që reflektojnë interesat e shoqërisë dhe jo kauza ngushtësisht politike, apo vetëm me përfitim politik.
Edith Harxhi kandidatja e tretë dhe e para femër për postin e kryetarit e bazon platformën e saj tek hapja e partisë dhe rikthimin e gjithë kontributorëve të djathtë ndër vite.
Ajo kërkon që të vendoset debati dhe konkurrenca e lirë brenda partisë dhe t’i jepet fund emërimeve nga ana e Kryetarit apo Kryesisë së partisë
“…Të mundësohet decentralizimi dhe autonomia e degëve të Partisë nëpër qarqet e vendit.
Të ndodhë bashkimi i Partisë rreth vlerave dhe parimeve të djathta dhe rikthimi i çdo personalitetit e kontribuesi, që prej themelimit të Partisë dhe atyre që e konsiderojnë Partinë Demokratike shtëpinë e tyre”, thuhet në platformën e saj.
Gjithashtu, ajo propozon që PD të ketë një Akademi Politike funksionale, që të trajnojë brezin e ri të politikanëve të djathtë.
Programi i saj është i ndarë në dy pjesë, ndryshimet e propozuara statutore dhe organizative dhe pjesa e dytë shtyllat ideologjike dhe programore të Partisë Demokratike.
Harxhi synon një Parti Demokratike ideologjikisht të qartë, të fortë, antikomuniste, euroatlantike dhe meritokratike.
Përpos diversitetit të mendimeve dhe propozimeve që kandidatët përballë Bashës japin, të tre ata janë te qartë në një pikë; se kush humb zgjedhjet duhet te japë dorëheqjen nga partia.
SI