Nga Mero Baze/ Gjykata Kushtetuese ka hedhur sot poshtë të drejtën e presidentit të Republikës për të bllokuar emërimin e një ministri për aryse personale, apo politike, ndërsa ka shqyrtuar rastin e mos emërimit të Gent Cakaj si ministër i Jashtëm, nga presidenti Ilir Meta.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në thelb shpjegon se kompetenca për emërimin e një ministri kalon nga kryeministri tek presidenti, dhe në fund vendos Kuvendi i Shqipërisë.
Gjykata ka interpretuar nenin 98 të Kushtetutës, duke lënë Kuvendin institucionin fundor që vendos për fatin e një ministri dhe duke detyruar presidentin të shprehet me dekret për kundërshtinë, apo dakortësinë e tij me emërimin e një ministri.
Duke e vendosur këtë interpretim tek rasti në fjalë, presidentit nuk i lejohet të bllokojë emërimin e një ministri me deklarata për shtyp, siç veproi Ilir Meta, por duhet të shprehet me dekret. Për fatin e dekretit pastaj vendos Kuvendi.
Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese është i drejtë, dhe qartësimi i saj për nenin 98 i pret rrugën abuzimit të një presidenti politik, i cili synon të tjetërsojë vullnetin politik të një shumice, duke diktuar emra ministrash.
Nga ana tjetër, ky është konfirmimi që presidenti ka bërë një shkelje kushtetuese të rëndë, tashmë të çertifikuar nga Gjykata Kushtetuese, shkelje e cila është kryer me qëllim dhe për shkak të angazhimit të tij politik, dhe në shkelje të statusit të neutralitetit që duhet të respektojë presidenti.
Emërimi i një ministri apo Qeverisë në tërësi, hyn tek të drejtat substanciale të deputetëve, dhe nuk mund t’i cenohet kjo e drejtë nga një president. Presidenti ka të drejtë të refuzojë një emër duke e argumentuar, por këtë argument e çertifikon, ose jo, Kuvendi.
Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese ka shtuar një provë të re kundër Ilir Metës, si shkelës i Kushtetutës dhe duhet t’i numërohet tek shkeljet e tij, ndërkohë që Kuvendi po përgatit një vendim për shkarkimin e tij.
Ky është vendimi i parë i Gjykatës Kushtetuese për një nga çështjet e nxehta politike, në të cilat presidenti është përfshirë me vullnetin e tij të plotë, ndaj dhe duhet të bëhet përgjegjës për veprimet e tij.
Nga ana tjetër, presidenti u angazhua në një fushatë shpifjesh denigruese ndaj kandidatit për ministër të Jashtëm, duke aluduar për veprimtarinë e tij “antikombëtare”, apo shërbime ndaj agjenturave të huaja, çka i japin tashmë të drejtë personit në fjalë të padisë Ilir Metën dhe për këto insinuata.
Nuk di se çfarë ka ndërmend të bëjë Gent Cakaj, por është mirë që Ilir Meta të kontaktojë qysh tani atë avokatin francez dhe ta quajë shpifje në internet këtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kështu forcon dhe aleancën me Doktorin dhe ndajnë bashkë dhimbjen, për këto që po u ndodhin.