Më 22 maj 2010, Interi kompletoi “tripletën” historike, nën drejtimin e Jose Mourinhos. “qershia mbi tortë” ishte fitorja e Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munich. Diçka më tepër se një dekadë më pas, në kampin zikaltër u kthye titulli kampion. Natyrshëm, tifozët pyesin: ku janë tani heronjtë e “tripletës”? Çfarë ka ndodhur me protagonistët e atij triumfi të jashtëzakonshëm? Ne po jua zbulojmë më poshtë, emër për emër. Duke nisur nga Mourinho, i shkarkuar nga Tottenham dhe tashmë i zyrtarizuar si trajner i Romës, nga sezoni i ardhshëm. Pra, rikthim i “Special One” në Serie A.
JULIO CESAR – Ambasadori i klubit të Interit
FRANCESCO TOLDO – Shef i “Inter Forever”, një ekip që luan miqësore në të gjithë botën me yjet e vjetër të zikaltërve.
PAOLO ORLANDONI – Në vitin 2012 doli në “pension”, sot është trajner i portierëve të Cagliarit.
LUCIO – I “vari këpucët në gozhdë” në fund të vitit 2019, pas një sezoni te Brasiliense.
JAVIER ZANETTI – Argjentinasi është zv.presidenti aktual i Interit.
MARCO MATERAZZI – Nga viti 2014 deri më 2017 ishte trajner i Chennaiyin në Indi; aktualisht është pa ekip.
IVAN RAMIRO CORDOBA – Drejtor menaxhues i zonës sportive të Venecias dhe partner zikaltër. Ai shpesh merr pjesë në ngjarje të organizuara nga Interi në të gjithë botën.
WALTER SAMUEL – Ish-mbrojtësi është pjesë e stafit të Lionel Scaloni në kombëtaren e Argjentinës.
CRISTIAN CHIVU – Trajner i ekipit U-18 të Interit.
MAICON – Luan në Serie D Italiane, me Sena.
DAVIDE SANTON – Është lojtar i Romës.
DEJAN STANKOVIC – Traineri i Crvena Zvezda të Beogradit (në detyrë që nga viti 2019).
SULLEY MUNTARI – Luan në Gana, me Asante Kotoko.
RENE KRHIN – Mesfushor i Castellon, divizioni i dytë spanjoll.
ESTEBAN CAMBIASSO – Studioi për t’u bërë trajner, duke fituar licencën ‘UEFA A’ në ‘Coverciano’. Tani mban rolin e komentatorit në ‘Sky Sport’.
THIAGO MOTTA – Pasi ka qenë trajner i Genoa për një periudhë të shkurtër në sezonin 2019-2020, aktualisht është pa ekip.
MCDONALD MARIGA – E përfundoi karrierën e tij si lojtar për të filluar karrierën si politikan në Kenia.
RICARDO QUARESMA – Luan në Portugali me fanellën e Vitoria Guimaraes.
WESLEY SNEIJDER – Doli në ‘pension’ pas përvojës së tij të fundit në Katar me Al-Gharafa.
MARIO BALOTELLI – Luan me Monza në Serie B.
MARKO ARNAUTOVIC – Luan me Shanghai SIPG në Kinë.
DIEGO MILITO – Nga viti 2017 deri më 2020 ishte sekretar teknik i Racing Club, në Argjentinë.
SAMUEL ETO’O – Bashkëpunëtor i Konfederatës Afrikane të Futbollit.
GORAN PANDEV – Sulmuesi maqedonas ende luan në Serie A, me fanellën e Genoa.
Suazo, Mancini dhe Vieira e përshëndetën Interin para fundit të sezonit. I pari është trajner i Carbonia, midis amatorëve të Sardenjës, braziliani është angazhuar në shtëpi me Villa Nova, ndërsa francezi udhëhoqi Nice deri më 2020.