Partia Demokratike, nën drejtimin e Lulzim Bashës në 25 prill 2021 shënoi humbjen e radhës, duke i siguruar kështu kryeministrit Edi Rama mandatin e tretë qeverisës.
Pavarësisht tetë viteve në qeveri të Rilindjes, me një mijë e një skandale, sërish Lulzim Basha nuk arriti të siguronte fitoren e demokratëve, edhe pse kishte në koalicion edhe LSI-në.
Edhe pse PD kishte një rritje në krahasim me vitin 2017, sërish rezultati ishte më i ulët nga ai i vitit 2013, kur PD doli në opozitë, pas tetë vitesh qeverisje.
Pas kësaj humbje katastrofike për PD-në, Lulzim Basha jo vetëm që nuk mban përgjegjësi për atë çfarë ka ndodhur, por ka ngritur alibinë e përhershme, se atij përherë ja vjedhin zgjedhjet.
Lulzim Basha prej disa ditësh ka vijuar takime në degët lokale të PD-së, ku në takimet me demokratët për të justifikuar dështimin, vijon e thotë se 25 prilli ishte masakër zgjedhore, e të tjera si këto, edhe pse deri tani PD nuk ka paraqitur asnjë provë për të vërtetuar pretendimet e Lulzim Bashës.
Por, në fakt ajo që tashmë është e qartë, është fakti se Lulzim Basha kërkon thjeshtë dhe vetëm të ruajë karrigen e kryetarit të PD.
Ashtu si në çdo takim që ka zhvilluar ne degët lokale gjatë këtyre ditëve, edhe sot në Lezhë Basha ka vijuar me të njëjtin fjalim, duke folur për beteja dhe fitore imagjinare, që ndryshimi sapo ka filluar e të tjera si këto, vetëm e vetëm që të vijojë të mbajë karrigen e kryetarit.
Basha tha sot se “luftoi” në kushte terrori dhe shantazhi, dhe se beteja nuk u bë për karrigen e tij. Ndërsa shtoi se pavarësisht sakrificës së demokratëve, ndryshimi nuk erdhi.
“Por pavarësisht sakrificës së demokrateve anembanë Shqipërisë dhe fitoreve përballë mekanizmit të masakrës zgjedhore si këtu në Lezhë apo më mirë të themi përkundër mekanizmit të masakrës zgjedhore si këtu në Lezhë, fakti është se më 25 prill u ndal shpresa e shqiptarëve për ndryshim. 25 prilli nuk i dha pergjigje asnjë prej pyetjeve dhe shqetësimeve të lezhjanëve dhe shqiptarëve. Përkundrazi i thelloi ato akoma më shumë.”-tha Basha.
Por, për Lulin nuk ka rëndësi fitorja, rëndësi ka pjesëmarrja.
“Por miqtë e mi pavarësisht prej kësaj, nga kjo betejë ne kemi dalë së pari me ballin lart sepse ishte qëndresa jonë dhe vlerat tona ato që shënuan përkundër një makinerie dyfish apo trefish më të madhe të manipulimit se ajo e para katër viteve, jo rënien tonë, as përgjysmimin tonë, por rritjen tonë numerike dhe morale”.-u shpreh Basha.
Dhe pasi brockullisi për beteja imagjinare, në fund sërish basha e tha qartë se kush është qëllimi i tij, që duket se nuk është faktimi i asaj që ai e quan “masakra zgjedhore”, por të vijojë të mbajë karrigen e kryetarit të PD.
Dhe sërish kërkoi që demokratët ta mbajnë në karrigen e kryetarit, për të korrur të tjera “fitore”.
“13 qershori ka të bëjë me diçka tjetër shumë më të madhe se kjo. Është hapi i parë në betejën që rinisim, ndaj dhe kërkesa ime e parë dhe kryesore është le të dalim nga 13 qershori edhe më të bashkuar, edhe më të vendosur. Kërkesa ime kryesore është: të më besoni të vazhdoj t’ju drejtoj deri në përfundimin me sukses dhe me fitore të kësaj beteje.”-u shpreh Basha.
Dhe siç koha e ka treguar, me Lulin në krye, “fitoret” janë të sigurta për demokratët. Tema/