Një vit pas ndarjes nga jeta të poetit, shkrimtarit e studiuesit poliedrik, Moikom Zeqo, i biri ka sjellë para publikut librin e minifabulave. Më shumë se një rekiuem për të atin, botimi është një rrekje sipërore për ruajtjen e shqipes. “Libri ka lindur si amanet i Moikom Zeqos për t’i mësuar shqip vajzës sime. Mos harroni se Moikom Zeqo ishte poet para plenumit të katërt, kur e çuan në Rrogozhinë mësues dhe atje ai kuptoi se kishte mangësi në letërsinë për fëmijë. Minifabulat e Moikom Zeqos u shkruan në vitet 1970-1990”, thotë i biri, Epidamni.
Risia e botimit të minifabulave janë ilustrimet e Enkeleida Ester Priftit që përçojnë në imazhe mesazhin e Moikom Zeqos, duke i folur dy kohëve, të birit që u rrit me to dhe mbesës që po rritet pa gjyshin.
“Po i mësoj vajzës sime që nuk jeton në Shqipëri, gjuhën shqipe. Ka një risi që janë ilustrimet dhe teksti është i integruar në ilustrime. Është një mesazh për brezat dhe rëndësinë e ruajtjes së gjuhës”, thotë Epidamn Zeqo.
Moikom Zeqo u shua pas një sëmundjeje të rëndë, duke lënë pas një vepër të madhe të botuar dhe në dorëshkrim, për të cilën tashmë kujdeset familja.