Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim deklaroi sot se, nuk ka vend për korrupsion apo për aktorë të korruptuar në sistemin e drejtësisë.

Duke folur në ceremoninë e organizuar me rastin e Ditës së Drejtësisë, Kim u shpreh se, “jam e lumtur të vërej se të gjitha institucionet e lindura ose të rindërtuara në zbatim të reformës në drejtësi, aktualisht po funksionojnë në një mënyrë kuptimplotë”.

“Të gjithë e dinim se kur reforma në drejtësi u miratua 4 vjet më parë, që përparimi nuk do të ishte i lehtë, i shpejtë dhe i përsosur, por falë përpjekjeve tuaja dhe mbështetjes së popullit shqiptar, reforma në drejtësi po lëviz përpara hap pas hapi”, u shpreh Kim.

“Institucionet janë duke funksionuar tashmë dhe falë jush po fillojnë të japin rezultate të prekshme për popullin shqiptar. Publiku duhet të jetë përfituesi më i madh, i drejtëpërdrejtë dhe i tërthortë i punës së përditshme të të gjithëve ju. Të gjithë institucioneve të drejtësisë dhe të gjtihë ju që u shërbeni atyre. Sepse në fund të fundit drejtësia dhe sundimi i ligjit duhet t’i shërbejnë popullit. Si titullarë të institucioneve të drejtësië, të gjithë ju keni nderin si dhe detyrën që t’i shërbeni popullit shqiptar”, theksoi Kim.

“Dua t’ju falënderoj për të gjithë punën e palodhur deri më tani teksa keni ngritur apo rivendosur institucionet tuaja dhe keni përcaktuar rregullat për të ecur përpara. Reforma në drejtësi ka bërë shumë përpara, por mbetet enede për t’u bërë në mënyrë që të përmbushen pritshmëritë e publikut shqiptarë dhe që Shqipëria të mbetet e vendosur në shtegun drejt pranimit në BE”, u shpreh Kim

“Ka qenë një rrugë e vëshirë dhe përgjatë rrugës ne kemi pasur biseda të vështira, por shpresoj që ta keni ditur në zemër se sa herë kemi zhvilluar biseda të vështira këto gjëra kanë ardhur nga një mik. Ju keni paguar njëçmim të lartë dhe dëshiroj t’ju falënderoj për këtë. Tashmë është koha të tregojmë se dhimbja e reformës në drejtësi po jep rezultat. Se ju dhe institucionet tuaja jeni të përkushtuar ndaj drejtësisë së vërtetë dhe shtetit ligjor, jo interesave partiakë ose individuale. Se nuk ka vend për korrupsion apo për aktorë të korruptuar në sistemin e drejtësisë dhe se drejtësia shqiptare mund të japë drejtësi të drejtë dhe të paanshme për popullin shqiptar”, theksoi Kim.

Ndaj, shtoi Kim, “jemi mbledhur këtu sot për të kujtuar se më 10 maj të 1913-ës, qeveria e Ismail Qemalit dekretoi Aktin e Parë ligjor për sistemin e drejtësisë së Shqipërisë të sapopavarësuar. 108 vjet më vonë Shqipëria ka një kornizë të plotë ligjore në përputhje mes standardet më të mira ndërkombëtare”.

“Ne duam që ju te keni sukses. Shqipëria ka nevojë që ju të keni sukses. Ne e dimë që ju mund të keni sukses. Unë besoj që ju mund keni sukses. Ndërsa ju dhe institucionet tuaja përmbushni misionet tuaja dhe çoni më tej reformën në drejtësi, shpresoj ta dini që SHBA-të do të vazhdojnë t’ju mbështesin përgjatë çdo hapi, do të jemi me ju krah për krah, ndërsa drejtësia do mund të bëhet një realitet në Shqipëri”, tha Kim.