Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev tha se shpreson se në Qershor, vendi do të mund të mbajë Konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në. Zaev thotë se Bullgaria duhet të dëshmojë se është racionale dhe në emër të dy popujve dhe të brezave të rinj duhet të gjendet zgjidhje.
“Unë shpesh them në emër të dy popujve vëllezër ta gjejmë zgjidhjen që përfundimisht dhe pas 16 viteve e gjysmë, Maqedonia e Veriut ta bëjë jo një hap, por gjysmë hapin e parë, konferencën e parë ndërqeveritare. Kështu që lidhjet ekzistojnë. Kështu që fokusi jonë është ndaj Bullgarisë me të gjitha institucionet e saj, para së gjithash tek presidenti z. Rumen Radev, kryeministri Stefan Janev, tek ministri i punëve të jashtme, parlamenti dhe tek të gjitha institucionet dhe shpresojmë që në Qershor do të japin mbështetje të bëjmë hapin e radhës në proceset integruese të Maqedonisë së Veriut”, tha Zoran Zaev.
Ndërkohë që ministri i jashtëm Bujar Osmani paralajmëroi intensifikimin e takimeve mes përfaqësuesve të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Unë kam kontaktuar homologun tim, Ministrin e jashtëm Stoev, kryeministri Zaev ka folur me homologun e tij që do të thotë se në gjitha fronet kemi nisur komunikim. Pres që brenda ditëve të ketë edhe takime mes nesh, që të mund ti shfrytëzojmë këto dy javë të mbetura para fillimit të bisedimeve të qershorit”, pohoi Bujar Osmani.
Dy ditë më parë, gjatë festimit të përbashkët të ditës së Shën Kirili dhe Metodit presidenti bullgar Rumen Radev tha se nuk ka nevojë për ndërmjetësues ndërkombëtar në kontestin mes Shkupit dhe Sofjes dhe se zgjidhja mund të arrihet përmes dialogut konstruktiv mes të dyja vendeve.
Takimi i radhës mes autoriteteve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë pritet të jetë javën e ardhshme mes kryeministrave Zoran Zaev dhe Stefan Janev, në zonë Kufitare ku vendit do t’i dorëzohen 50 mijë vaksina anti-covid.