Ish-presidenti Bamir Topi ka folur për zgjedhjet e 25 prillit dhe humbjen e Partisë Demokratike. I ftuar në ‘Kjo Javë’ në ‘News24’, Topi deklaroi se gjatë fushatës pa nga një krah liderin e PD-së, Lulzim Basha shumë optimist për rezultatin që do të vinte pas zgjedhjeve dhe një PS bëri një fushatë të dobët. Duke u ndalur tek kërkesa brenda PD-së e disa zërave për dorëheqjen e Bashës, Topi iu ka dalë kundër. Mes të tjerash ai tha se tek kjo palë ka mungesë sinqeriteti dhe hipokrizi, pasi ata shkojnë e hedhin shigjetat diku tjetër, por sipas tij vatra është Berisha.
PS merr një mandat të tretë qeverisës. Si e patë si proces zgjedhor?
Topi: Pashë dy kampe ku njëri kamp që konsiderohet fitues ishte një shtrat inercie e një fushatë të zakonshme, pashë dhe një optimizëm të një lideri opozitë. Në fakt ja ku jemi sot, historia është ndryshe. Kemi një konfirmim për herë të tretë të zotit Rama, i cili vjen në pushtet pa asnjë lloj mundimi. Madje dy fushatat e para kanë qenë si simbolikë timoni dhe tepsia. Kjo e treta dëshmon se gjerat edhe këtu në Shqipëri janë në llojin e vetë. Nga kampi i opozitës një sjellje politike që demonstrohet me veprime in-ekstremes dhe nuk mbrohet. Ja ku jemi sot, rikonfirmim për herë të tretë dhe humbje për herë të katërt.
Si ishte fushata e PD?
Topi: Jo gjithmonë grumbullimet janë indikatorë të fitores. Është tipar i takimeve të PD dhe i së djathtës, që sjell entuziazëm, e bazon tek aparenca e anës psikologjike. Sot mbas gati 30 vitesh jemi në të njëjtën shfaqje. Gjerat sipas meje duhet të kishin ndryshuar, edhe nga pikëpamja e demonstrimit. Sikurse është lidershipi i ri, forma dhe përmbajtja e fushatës duhet të jetë tjetër gjë. Është e njëjta skenë. Dy gishta lartë, hip mbi makinë. 50 njerëz që të krijojnë atmosferën sikur janë 5 mijë njerëz dhe asgjë më shumë. Vijmë në fushatën e tretë të socialistëve, ku pakënaqësia e shoqërisë është e qartë, e dukshme dhe këtu vjen rezultati paradoksal. Fushatë e dobët e Edi Ramës dhe ai vjen prapë. Fitorja nuk bëhet me fjalë.
Pse humbi PD? I kujt është faji?
Topi: Unë do të kërkoj në një farë mënyrë që të përdor një metaforë nga fusha e mjekësisë. Bëhet fjalë për një organizëm të sëmurë, zoti Basha përfaqëson shenjën e dhimbjes, ndërsa vatra e dhimbjes është diku tjetër. Kam parë te PD, tek njerëzit që kanë dalë pas humbjes, që janë grupuar në dy drejtime, nga njëra anë për të rrëzuar Bashën. dhe e dyta; nxitimi i një pjesë për të mbrojtur apriori Bashën.
Të dy palët, qoftë ata që janë përjashtuar në 20017, qoftë ata që s’janë pjesë e listës tani, kanë mungesë sinqeritet, hipokrizi, shkojnë e hedhin shigjetat diku tjetër. Vatra është Berisha. Do ishte gabim nga unë nëse do rrëshqisja në planin personal. Vetë zoti Berisha e di, se di kush më mirë se ai. E di sepse është një njeri që e ka ndërtuar vetë atë klimë. E di fare mirë se nuk mjafton që të jesh i gëzuar që të kesh qeverinë. Në rast se sot do të them se cilat janë institucionet me më rëndësi në Shqipëri? Është kryeministri dhe kryetari i opozitës. Janë gati ekuivalent në fuqinë politike. Ndaj kjo është arsyeja e betejës së madhe për ruajtjen e pozitës së kreut të opozitës.