Është mbyllur nga sheshi Skënderbej java e parë e Europës, në kuadër të turit të nisur në të gjithë Shqipërinë nga ambasadorët e BE në vendin tonë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori Luigi Soreca tha nga ‘Sheshi Skënderbej’, se bashkëpunimi Shqipëri-BE do të vijojë për të bërë të mundur mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare.
“Ideja ishte që ne në fund të fundit të tregojmë se ne jemi një skuadër BE. Ideja ishte të tregojmë se çfarë ka bërë BE-ja, se çfarë do të bëjë në vijim për Shqipërinë. Në fokusin tonë ishte që të vizitoninm sa më shumë bashki të ishte e mundur. Bashkitë do të bëjnë 70% të punës për të çuar në mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Ideja ishte që të vinim dhe të tregonim se ç’kemi bërë pas tërmetit, për shkollat dhe trashëgimin ë kulturore. Do të vizitojmë shumë shkolla. Do të restaurohet edhe mozaiku tek ‘Muzeu Kombëtar’, tha Soreca.
Angazhim për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën drejt BE, shprehu në përmbyllje të aktivitetit Java e Europës, Ambasadori Gjerman në Shqipëri Petër Zingraf.
“Ne do të punojmë me ju në sferat politike dhe jo vetëm. Do të jetë kënaqësi që të ndihmojmë në rrugëtimin tuaj”, tha ai.
Ambasadori i BE dhe përfaqësues të selive të tjera diplomatike në vendin tonë, kanë nisur prej 1 jave turin 21 ditor nga Vermoshi në Konispol për të promovuar investimet e BE në vend dhe për të theksuar se Bashkimi Europian është në krah të shqiptarëve në çdo cep të Shqipërisë.
“Javët e Evropës” është një aktivitet që u zhvillua nga përfaqësuesit e BE-së në Shqipëri me rastin e 9 Majit që cilësohet si dita e Evropës, ku u shënua fitorja përfundimtare mbi fashizmin dhe përfundi i Luftës së Dytë Botërore.