Blendi Fevziu ishte i ftuari i parë në programin “Dola te Ola”, ku foli për rrugëtimin e jetës së tij që nga fëmijëria.
Gazetari tha se për rreth 6-7 vite ai ka jetuar në Tiranë me stërgjyshen dhe me dajën e mamit, ndërkohë që prindërit e tij jetonin në Lushnjë. Më pas ata u zhvendosën për të jetuar në kryeqytet pranë të birit. Gazetari tregoi se vitet që ai ka qenë larg prindërve nuk kanë ndikuar në marrëdhënien mes tyre.
Blendi tha se ky vendim erdhi pasi stërgjyshja dëshironte ta mbante pranë vetes, dhe atij gjatë kësaj periudhe jete i është dashur që të marrë shumë vendime vetë pa mundur të pyesë prindërit, ndaj ai ndryshe nga moshatarët është rritur më shpejt.
Drejtuesi i emisionit “Opinion” theksoi se është shumë e rëndësishme të marrësh vendime në jetë. “Nuk ka rëndësi nëse del mirë apo keq. Problem është nëse nuk je i aftë për të marrë një vendim”, tha ai.