Socialistët nuk kanë humbur kohë dhe kanë zyrtarizuar nismën për shkarkimin e kreu të shtetit.
36 deputetë kanë firmosur paraditen e kësaj të premteje për të iniciuar procedurën e shkarkimit të Ilir Metës bazuar në nenin 90 pika 2 të Kushtetutës, ku përcaktohen rastet kur dhe si mund të shkarkohet presidenti.
I ftuar në ‘Zgjedhje 2021’ nga Alban Dudushi dhe Pranvera Borakaj në Vizion Plus, juristi Jordan Daci shpjegoi se si mund të arrihet deri në shkarkimin e presidentit Meta. Për juristin, Meta kësaj radhe është më i ekspozuar se herën e parë për tu shkarkuar.
“Rregullorja kërkon ngritjen e një Komisioni Hetimor dhe ligji i Posaçëm për Komisionet Hetimore parashikon që katër muaj para përfundimit të mandatit të Parlamentit aktual, pra Parlamenti nuk mund të ngre komision.
Teorikisht dhe formalisht kanë të drejtën të ngrenë Komision Hetimor dhe besoj ndryshe nga komisioni i mëpërparshëm janë gjithë treguesit që do e çojë në fund kësaj here shkarkimin.
Pastaj do jetë Gjykata Kushtetuese që do vendosë, nëse ka bërë shkelje apo jo, por unë personalisht mendoj që kësaj radhe presidenti është shumë herë më teper i ekspozuar ndaj mundësisë së shkarkimit sesa herën e mëpërparshme.
Sepse herën e parë, diskutimi ishte shumë parimor, ishte për mendimin tim një abuzim, ndërsa kësaj radhe gjykoj që disa qëndrime publike dhe disa veprime apo deklarata, mendoj se nuk i përshtaten institucionit të presidentit”, tha ai.