Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve pritet të vendosë sot për kërkesat nga PD dhe LSI për zgjedhjet e 25 prillit në qarkun e Gjirokastrës.

Përfaqësuesi i PS, Eridian Salianji shprehu bindjen se nuk ka asnjë shans që të kenë ndodhur votime të dyfishta në këto zgjedhje, ndërsa theksoi se për defektet teknike duhet të përgjigjen personat përgjegjës. “Unë ua them me bindje të plotë, zero mundësi për persona që kanë votuar dy herë.

Për arsye se të gjithë personat që kanë votuar kanë hedhur nënshkrimet, kanë edhe kartat e identitetit në QV-të. Defektet teknike të vijnë t’i sqarojnë operatorët dhe personat përgjegjës”, u shpreh Eridian Salianji.

Gjatë mbledhjes, Salianji deklaroi se nënkomisionerja Lealba Pelinku e zgjedhur nga opozita drejtoi vetë gjithë procesin, e menaxhoi, emëroi operatorët si dhe bëri në përfundim edhe raportin për procesin, një argument ky që rrëzon pretendimet e PD dhe të LSI për votim të dyfishtë në zgjedhje.