Në qendrën e vaksinimit “1 tetori” në Prishtinë sot është krijuar tollovi e madhe nga qytetarët që po presin për t’u vaksinuar. Në hyrje të qendrës së vaksinimit qindra persona të moshës mbi 65 vjeç janë parë duke shtyrë me njëri-tjetrin, cili të futet brenda më përpara për ta marrë vaksinën. Lidhur me gjithë këtë situatë të krijuar, Ministria që drejton Arben Vitia është mjaftuar me një komunikatë ku vetëm sqaron se rrëmuja është krijuar nga qytetarë të qyteteve të tjera që kanë ardhur të vaksinohen në Prishtinë, derisa kanë sqaruar se te 1 Tetori mund të vaksinohen vetëm prishtinasit.

Ndërkohë për gjithë atë tollovi të krijuar e që rrezikon edhe përhapjen masive të virusit, meqë s’ka pasur fare distancë gjatë pritjes, nuk e ka thënë asnjë fjalë kreu i qeverisë, Albin Kurti.

Por plotësisht pamje tjetër jep Shqipëria e Edi Ramës, e cila përveç që ka arritur të sigurojë numër të madh të vaksinave, ka vaksinuar mbi gjysmë milioni të popullatës. Në qendrat e vaksinimit në Tiranë, shihet se si të gjithë ata që shkojnë për t’u vaksinuar presin në radhë, të ulur në karrige dhe në distancë nga njëri-tjetri, duke respektuar kështu rregullat për mbrojtje nga COVID-19. Ndryshe Kosova ka ngecur edhe me procesin e blerjes së vaksinave. Deri tani në Kosovë vaksinat kanë ardhur vetëm si donacione nga COVAX e shtete të BE’së, meqenëse Qeveria s’ka arritur të blejë ende asnjë.