Mbetjet e raketës kineze, që u lëshua në hapësirë javën e kaluar, pritet të hyjnë në atmosferën e tokës pas mesnatës dhe orës 4:26 të mëngjesit të ditës së dielë.
Raketa “Long March 5B Y2” u nis nga ishulli kinez i Hainan më 29 prill dhe transportonte modulin Tianhe, me furnizime për ekuipazhin kinez në stacionin hapësinor dhe objekti 18 tonësh është një nga më të mëdhenjtë në dekada që do të realizojë një hyrje të pa kontrolluar në atmosferë.
Në pamjet e filmuara mbi SHBA, shihet raketa në rënie të lirë. Por, Pekini zyrtar thotë se nuk ka rrezik dhe se copëzat mund të shpërbëhen në atmosferë, pa mbërritur kurrë në tokë.
Koordinat e zonës së rënies shkojnë nga SHBA deri në Europë, ku në alarm është Italia, e cila ka marrë masa paraprake në 9 rajone të vendit. Qytetarëve që jetojnë në Umbria, Lazio, Abruzzo, Molise, Campania, Bazilikata, Puglia, Kalabri, Siçili dhe Sardenja u është këshilluar të qëndrojnë në ambiente të mbyllura, për të shmangur çdo lëndim të mundshëm rreth orës 14:30 të së dielës, me një marzh gabimi prej 6 orësh.
Në trajektoren e rënies mund të përfshihet edhe vendi ynë, por ekspertët ndërkombëtarë deklarojnë se mundësitë më të mëdha janë që pjesët e raketës do të bien në ujërat e Paqësorit.