Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor Blendi Goxhja deklaroi sot se kolaudimi i mjeteve do të rinisë më 31 maj dhe se kategoritë e para që do të përfshihen në proces janë mjetet që kryejnë transport ndërkombëtar, transport udhëtarësh, mjetet që kanë hyrë për herë të parë në vendin tonë dhe nuk kanë bërë asnjëherë kolaudim dhe më pas mjetet që janë rrëzuar në kolaudimin e fundit.
Sipas Gonxhes, qytetarët që kanë një automjet, individë apo kompani që kanë flota duhet të mos vërshojnë të stacionet e kolaudimit pa patur një konfirmim nga sistemet e ndërtuara për të patur një orar.
“Procesi është delikat pasi është rikthim i një shërbimi pas 5 muajsh. Është një proces që do të kërkojë punë për t’u futur në ciklin e tij normal, që parashikohet në fundin e verës”, tha Gonxhja.
Gonxhja u shpreh se do të ketë shtrëngim të fortë për flotat e ndërmarrjeve publike, bashkive, etj. “Do të ketë kontroll të fortë në rrugë dhe do të ngrihen grupe kontrolli të cilët do të shkojnë me një short elektronik ku do të kontrollojnë automjetet e sapokolauduara, për të parë nëse e ka bërë punën mirë kontrollori”, tha ai.
Kontrolle të rastësishme, vuri në dukje Gonxhja, do të ketë edhe për ato raste kur mjetet janë dukshëm jashtë norme në rrugë.