Ish kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ka reaguar sërish pas humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit. Spahiu shprehet se partia po fundoset si Titaniku, pasi të gjithë po largohen nga paniku. Pas Dukës ai shprehet se do të largohen edhe të tjerë si Ndoka, Dule, Idrizi e Shehi.
‘PD po fundoset si Titaniku. Të gjithë po largohen nga paniku: Duka sapo iku. Pas Dukës, do largohet Ndoka, Dule, Idrizi, Shehi….. Pas tyre 3 deputetë e LSI. Ish-presidenti Nishani me 20 drejtues sapo kanë parë që “Titaniku” është shpuar kudo dhe ngado. Nëse hapen kufijtë mijëra demokrat do largohen nga anija e mbushur me llum duke notuar të zhgënjyer drejt oqeanit. Do mbetet në fund “Kapiteni” plak dhe “violinisti” muzikën e të cilit nuk e dëgjon askush. Të dy do marrin me vehte çelsat e anijes thellë mes ndryshkut të një relike që nuk do i vlej askujt. Koha do prodhojë mijëra anije më të mëdha dhe më të shpejta, që do mbërrijnë në destinacionin që keni ëndërruar.’- tha Spahiu.