Presidenti kroat, Zoran Milanoviç, tha të mërkurën se nuk ka ofruar garanci për lirimin e përkohshëm të ish presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili po mbahet në Hagë nën akuzat për krime lufte.
“Nuk mund të ofroj garanci, kjo është thjesht e pamundur”, tha presidenti kroat, duke shtuar se Kroacia nuk do të bëjë atë që bëri Hungaria si anëtare e Bashkimit Evropian, duke i dhënë strehim ish-kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski, i cili u strehua në Hungari për të shmangur vuajtjen e një dënimi për korrupsion.
Presidenti Milanoviç, tha se akuzat e ngritura pas kaq vitesh kundër zotit Thaçi e dëmtojnë rajonit”.
“Thjesht mendoj se Thaçi ose duhej të ishte akuzuar prej kohe, ose duhet të lihet i qetë, sepse disa njerëz në Beograd po kalojnë të paprekur”.
Komentet e presidentit kroat pasuan debatet e nxitura pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Kosovës me seli në Hagë, për të refuzuar kërkesat e katër të akuzuarve: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, për t’u mbrojtur në gjendje të lirë.
Ligji për themelimin e Gjykatës mundëson që një shteti të tretë, mund të ofrojë garanci për “të marrë dhe nëse është e nevojshme, të monitorojë një të dyshuar”.
Juristi Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, shprehet se “vendi i tretë për të dhënë garanci lidhur me të akuzuarit në Hagë, është edhe Kosova, ose thënë ndryshe është vendi i parë në raport me shtetet tjera”.
Në një postim në rrjetet sociale ai thotë se “shtetet e fuqishme qe kane qënë sponzorizues dhe promovues të Gjykatës Speciale nuk dalin garant, sepse mund të konsiderohet si paragjykim dhe një lloj ndërhyrje ne procesin gjyqësor, për shkak se kjo gjykatë financohet kryekëput nga këto shtete, prokurorët dhe gjykatësit vijnë mu nga këto shtete. Shtetet demokratike i kushtojnë rendësi jo vetëm pavarësisë në ligj dhe procedurë, por edhe në dukje, dhe perceptimit në publik”, shkroi ai.
Nuk ka pasur ndonjë reagim nga zyra e presidentes së Kosovës, ndërsa zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu tha të mërkurën se “Bazuar në dispozitat ligjore, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë e as nga kryeministri i shtetit amë, nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion. Pra, Kosova nuk mund të shërbejë si garantuese, ashtu siç po raportohet”.
Një pjesë e juristëve pohojnë se Kosova mund të ofrojë garanci të tilla vetëm nëse kjo gjë kërkohet nga Gjykata e Posaçme.
Ish udhëheqësit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi u arrestuan në nëntor të vitit të shkuar. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përkatësisht për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.
Që të gjithë i kanë hedhur poshtë akuzat.
Gjykata e Posaçme u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës, ndërsa themelimi i saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.