Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video ku tregohet Rilindja urbane e qytetit të Tepelenës, si dhe investimi në bajpasin e Tepelenës.
“E bukura e rrugës për Tepelenë”, shkruan Kryeministri Rama në tekstin që shoqëron videon e publikuar.
Bajpasi i Tepelenës, është vepër e rëndësishme e infrastrukturës kombëtare, pjesë e aksit Veri-Jug.
Investimi, i cili i ka dhënë një hov të ri zhvillimit ekonomik, por dhe turistik të gjithë qarkut, bën lidhjen e dy segmenteve rrugore, segmentin e sapondërtuar Levan-Tepelenë me segmentin Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë.
Punimet kanë qenë të shumta, jo vetëm sa i përket shtresave dhe ndërtimit të këtij bypass-i, i cili, duhet theksuar që në kilometrin e tij të parë ka një ramë konsol, e cila është e para në Shqipëri, që qëndron mbi lumin Vjosë, e ndërtuar mbi kollonata betoni.
Këtu ka pasur ndërhyrje shumë të thella edhe sa i përket pjesës së skarpateve të kalasë, të cilat tashmë janë të mbuluara me rrjetë teli dhe me bimësi vegjetale (Green Fix). Nga të dy krahët e rrugës ka trotuare për kalimin e qytetarëve.