Ministrja e Arsimit, Evis Kushi njofton se i është bashkuar me shumë kënaqësi partnerëve zhvillimorë të MASR, si “UNICEF Albania”, Zyrës së OKB në Tiranë dhe Ambasadës Hollandeze në ceremoninë e dhënies së certifikatave të mirënjohjes për mësues që kanë spikatur dhe promovuar me kontributin e tyre platformën mësimore “Akademi.al”.
Ajo shpreh fillimisht mirënjohjen ndaj mbështetjes së tyre për zhvillimin e kësaj platforme përgjatë kohës së pandemisë.
“Mirënjohje ndaj mbështetjes së tyre, falë së cilës platforma “Akademi.al” u shndërrua që në ditën e parë të pandemisë në një alternativë me rëndësi për ofrimin e mësimit të kombinuar për nxënësit tanë”, shprehet ministrja.
Përmes rrjetit të saj social Facebook, Kuhsi ka nënvizuar edhe rëndësinë që ka kjo platformë.
“Tashmë, platforma “Akademi.al” me 400 mijë përdorues aktualë dhe me 16 mijë video mësimore është një partner i rëndësishëm i MASR që ndihmon me një qasje gjithëpërfshirëse dhe akses të barabartë në arsim cilësor”, shkruan ajo.