Nga Plator Nesturi/

Një ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit, Presidenti Meta ishte tepër institucional ndërsa përshëndeti mënyrën e qetë të votimeve, faktin që populli foli nëpërmjet votës dhe që nënkuptonte se e njihte rezultatin dhe fitoren e maxhorancës. Kjo qetësi e tij binte ndesh me atë të ditëve më parë, më gjuhën e ashpër dhe ndërhyrjen e qartë që bëri në fushatën elektorale, ndërsa deklaronte se ne si opozitë kemi 90 mandate.

Pa hyrë më tej në ato çfarë shpalosi presidenti gjatë fushatës dhe që realisht eklipsoi në deklaratat e tij interesin ndërkombëtar për zgjedhjet në vend, në konferencën e djeshme për shtyp, sërish duket se kemi një dalje nga institucionalja. Një “prapa kthehu” nga qëndrimi i mëparshëm se e njeh rezultatin, së pari se ai është ende në proces dhe së dyti sepse paska shumë parregullsi. Në këtë sens, i bie që presidenti do të presë procesin, ndonëse nuk bëhet fjalë më për fituesin e zgjedhjeve, pasi po numërohen votat e kandidatëve, dhe se i duhet të vendosë nëse i quan të drejta apo jo. Atëherë, pse kjo është tejkalim institucional?

Pikërisht së pari pasi certifikimi i zgjedhjeve nuk është kompetencë e Presidentit. Shpallja e fituesit apo dhe vlerësimet mbi procesin e parregullsitë njëse ka i takon Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Presidenti mund të presë thjesht verdiktin final të KQZ, por askush nuk ia kërkon atij të gjykojë e të vendosë për procesin, pasi nuk është ai garantuesi i saj. Për më tepër, në këtë rast kur vetë Presidenti është etiketuar i përfshirë në fushatë elektorale dhe ndaj as moralisht nuk mund të pretendojë të luajë rol garantuesi tashmë.

Ndaj dhe deklarata e tij e djeshme se në zgjedhje ish vetëm qytetar dhe kish vetëm votën e tij nuk ngjiti te gazetarët, të cilët ngulmuan në pyetjen mbi dhënien dorëheqjes pas deklarimeve të mëparshme se do lëshonte postin nëse Rama do merrte 71 deputetë. Presidenti ndihet vetëm. Vetëm, pasi nga elektorati i PS akuzohet se ka shkelur detyrën e nuk i ka përfaëqsuar pse ndërhyri në fushatë. Vetëm, pse nga elektorati i PD akuzohet se me protagonizmin e tij dëmtoi rëndë Bashën në fushatë. I mbetet vetëm elektorati i LSI-së, të cilit i thotë sidoqoftë se do vijë t’i bashkohet vetëm pas një viti.