Nga Alfred Peza
Lulzim Basha ka arsye për të mos qenë në humor këto ditë, ndryshe nga periudha e fushatës elektorale, kur e klonuan për të na e shitur si një “lider normal”. Këshilltarët bënë gjithçka që të përsërisnin pas 9 vjetësh, fabulën fituese të François Hollande, kur mundi karizmatikun Nicolas Sarcozy në Francë. Por e ngatërruan Parisin me Tiranën dhe kostumin e një lideri të majtë, me atë të një kandidati të së djathtës, për kryeministër!
Edhe blerja e shegëve në pazar më teta Verën, edhe “talenti” për të gatuar, edhe leximi i përrallave apo ngarja e makinës pa rrip sigurimi, edhe rrëfimet e historisë romantike të dashurisë së parë e të përjetëshme, shkuan dëm. Këto ditë nuk ka më as buzëqeshje, as fjalor optimizmi, as sjellje prej lideri europian dhe as mesazhe që duan të dëgjojnë veshët e shqiptarëve.
Mjaftuan vetëm pak ditë pas 25 prillit, që Lulzim Basha ta hiqte lëkurën e qëngjit prej një “lideri normal”, për tu rikthyer në origjinë. Duke u shndërruar sapo mësoi lajmin se i ka humbur zgjedhjet, në politikanin që ka qenë, e që do të jetë gjithmonë. Një lider që nuk është vetja, por që mer trajtën dhe formën sipas rolit që i japin për të luajtur publikisht, Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Edhe Presidenti i Republikës është rikthyer në origjinë, duke qenë vetëm të dielën e votimeve ai mësuesi i urtë që i vë nxënësve të politikës notën dhjetë me yll, për mënyrën sesi e zhvilluan provimin e madh të demokracisë. Ilir Meta jo vetëm nuk e mbajti fjalën për të dhënë dorëheqjen, nëse Edi Rama fitonte me 71 e më shumë mandate deputetësh, por ka bërë gati tesërën për tu rikthyer në LSI pasi të lerë zyrën e Kreut të Shtetit.
Lulzim Basha dhe Ilir Meta po belbëzojnë me gjysëm zëri, se nuk i njohin zgjedhjet. Këtë vendim “in extremis” e kanë artikuluar, pa sjellë ende asnjë prove, e në kundërshtim me faktet. Ndërkohë që ata pretendojnë se “fitorja u vodh”, KQZ çertifikoi zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve pa asnjë ankesë nga PD dhe LSI, në asnjërën prej 5 199 qendrat e votimit në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Lulzim Basha thërret të gjithë deputetët e dalë nga zgjedhjet e së dielës së kaluar, ku nga njëra anë i përgëzon për “fitoren”, e nga ana tjetër kërkon që të gjejnë provat që i çuan drejt humbjes. E ta mendosh që kandidati i opozitës për Kryeministër, nga njëra anë thotë se nuk do i njohi zgjedhjet, e nga tjetra nuk deklaron që do ta bojkotojë Parlamentin e ri në shtator!
Edhe Ilir Meta nga njëra anë kundërshtron iniciativën e PS për shkarkimin e tij në Parlament, e nga ana tjetër, sillet si kryetar partie duke kërkuar “ndryshimin” brenda në kuti. A thua se nuk e ka dëgjuar Monika Kryemadhin, që i kërkoi falje për humbjen e cila për LSI dhe opozitën, nisi atëherë kur dogjën mandatet. Dolën nga Parlamenti. Sulmuan institucionet kushtetuese me “Molotov”. E kur bojkotuan zgjedhjet lokale në 61 bashkitë e Shqipërisë.
Nëse Ilir Meta e ka pranuar ndjesën e Monika Kryemadhit, tani duhet të pranojë se opozita ka humbur e duhet të dalin publikisht, për ti uruar Edi Ramës e PS fitoren në zgjedhje dhe suksese në qeverisjen e vendit deri më 2025. Por, as nuk e kanë bërë, e as nuk do ta bëjnë. Sepse Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Lulzim Basha e Sali Berisha jo vetëm kanë humbur, por kanë rënë edhe në kurthin që i ngritën Edi Ramës.
Donin ta detyronin që tu jepte pushtetin në tavolinë, duke luajtur nga njëra anë lojën me “revolucione popullore”, e nga ana tjetër duke e paraqitur Edi Ramën si uzurpatorin e të gjitha pushteteve në Shqipëri. Por gjithkush e kuptoi se si me bojkot, si me zgjedhje, PS fitoi. Ndaj tani liderët e opozitës nuk dinë se çfarë të bëjnë, sepse në përpjekje për të djegur Edi Ramën, ranë vetë dhe u përvëluan në zjarrin që ndezën kundër tij.
Lulzim Basha do nisë atë që ai e quan turi për të mbledhur “provat e manipulimit”, që është “de facto” turi për të shpëtuar kokën e tij, që po ja kërkojnë në tepsi shumë demokratë të tërbuar nga humbja. Por ai nuk të zhgënjen as në këtë rast, sepse është më optimist se kurrë, se pas humbjes do të nisë sërisht luftën drejt fitores!
Ndërsa Ilir Meta po kërkon rinumërimin e votave në të gjitha kutitë, sepse ka hallin që ti shpëtojë, shkarkimit si President i Republikës. Tani që po rrinë ata pa gjumë, Edi Rama ka gjithë qetësinë dhe të drejtën e Zotit që të mos meret fare me humbësit, por vetëm me administrimin e fitores!