Në një kohë kur Shqipëria është në pritje të një përgjigje pozitive për hapjen e negociatave në qershor, ambasadori i BE në vendin tone Luigi Soreca i cilëson zgjedhjet e 25 prillit si një hap përpara në këtë drejtim.
“Zgjedhjet ishin një hap shumë i rëndësishëm sepse u bë implementimi i Kodit të Ri Zgjedhor që ishte edhe një prej kushteve të vendosura nga BE. Zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të rregullt sic thuhet në raportin e OSBE/ODHIR. Ka një proces apelimi që po vazhdon por kjo nuk ndikon rregullsinë e procesit edhe implementimin e kodit të ri zgjedhor.” I pyetur nga të rinjtë për mundësinë e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, Soreca nuk pranoi të bëjë diferencime ndërsa Ministrja e Jashtme Olta Xhacka vë theksin te meritat e gjithësecilit.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar tashmë kushtet të cilat u janë kërkuar nga Këshilli i Europës dhe të dyja e meritojnë që të fillojnë së bashku konferencën e parë qeveritare dhe shpresoj që tëgjitha vendet anëtare ta marrin këtë vendim së bashku.”, u shpreh Soreca. “Në këtë proces e kemi nisur bashke që prej vitit 2013 dhe kemi bërë një rrugë ku vendimmarrja do jetë mbi meritat e gjithsecilit dhe më takon të them që Shqiperia i ka përmbushur të gjitha kushtet ashtu si Maqedonia.”, deklaroi Xhaçka.
Në përgjigje të interesit të të rinjve, Xhaçka mohon ekzistencën e një ndikimi turk në vendin tonë por flet për një partneritet si ai me BE dhe SHBA. “Turqia është partenri ynë strategjik ashtu siç janë partner strategjik Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Europian kemi një marrëdhenie të shkëlqyer me të gjithë.” Në takimin e zhvilluar në kuadër të javës së Europës ambasadori Soreca shprehu besimin sidomos tek të rinjtë që sipas tij kanë mundësi që të bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë.