Nga Artur Ajazi/

Kërkesa e Partisë Demokratike “për të përsëritur zgjedhjet në 9 qarqe” është më shumë se absurde. PD ka depozitar ankesat për 9 qarqet, me mbi 600 faqe për atë ç’ka ajo e cilëson si “masakër elektorale” në Tiranë, Shkodër, Durrës, Fier, Vlorë, Berat, Elbasan e Korçë, ku kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Në deklaratën për mediat, përfaqësuesi i grupit të juristëve të PD Marash Logu tha se “10 dosjet, dy për Tiranën, përmbajnë fakte të shumta që provojnë tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve dhe vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në Shqipëri”.

E ndërsa sekretarët e asaj partie po japin dorëheqjen (Sahit Dollapi sekretari organizativ i pari) Lulzimi kërkon të mbetet “dhëndër” i përjetshëm në PD. Kërkon ta provojë edhe njëherë betejën e “fitores”. Pasi ka humbur 4 palë zgjedhje brënda 8 viteve, pasi ka katandisur partinë në shoqatë fiktive, pasi ka tensionuar situatën në bazë aq sa po largohen në grup militantët, ai kërkon “ripërsëritjen e zgjedhjeve”. Nuk është as më pak, dhe as më shumë se kërkesa që bënte në 2001 Sali Berisha “hap kutitë ose largohu”. Përfundimisht Lulzimi e ka vendosur fatin e tij. Ai do të jetë kampioni i njeriut dhe politikanit, që kënaqet me humbjet dhe katastrofat e partisë tij. Ai kërkon pas çdo palë zgjedhjesh që humb, “duhet provuar edhe njëherë tjetër”, si ai që tha “aman më bëni edhe njëherë dhëndër”.

Në politikë nuk ka “edhe njëherë tjetër”, aq më tepër kur në partinë tënde, je i padëshirueshëm. Në dosjen ankimore, PD-ja rendit disa prej faktorëve, që sipas saj, “ndikuan në zgjedhje dhe prodhuan rezultatin që doli në fund”, si “kandidimi i përfaqësuesve të krimit, apo dhe angazhimi dhe përdorimi i strukturave për të blerë vota” të cilat janë vetëm disa nga akuzat e depozituara në dosje. Duke shpikur dhe përdorur teorinë e re të Berishës për zgjedhjet e fundit “regjimi Rama-Doshi-Rakipi”, Partia Demokratike, ka nisur të futet në rrugë pa krye, nga e cila pretendon anullimin e rezultatit nga KQZ-ja.

Nga ana tjetër, kemi një vlerësim nga faktori ndërkombëtar i procesit zgjedhor, duke shprehur besimin në vazhdimin e bashkëpunimit mes tyre dhe qeverisë së Rama-3. Njeriu që shpalli “fitoren e madhe” vetëm 2 orë pas mbylljes së procesit të votimit dhe nisi festën, sot nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve,dhe kërkon ribërjen e tyre në 9 qarqe. Përgjigja më e mirë ndaj makinacioneve të Lulzimit dhe kallauzëve të tij, mbetet grupimi kundër kryetarit dhe dorëheqjet që kanë nisur të jepen çdo ditë brënda asaj partie, duke nisur nga sekretarët në qendër dhe degët e rretheve.

Dhe në fakt ajo ç’po ndodh me Partinë Demokratike sot, ka qenë paralajmëruar 1 vit më parë nga shumica e themeluesve të saj, apo dhe ish-drejtuesit e larguar brutalisht nga ajo parti si “të shitur tek Rama”. Ata që i mbushin mëndjen Lulzimit se “duhet të përsëriten zgjedhjet në 9 qarqe”, janë në fakt elementët më aventurierë të asaj partie, leva të bindur të njeriut që ka thurrur dhe vazhdon “zanatin” e tij të destabilitetit të vendit prej 30 vitesh.