Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë fjalët së saj në Kuvend, ka deklaruar se mbi 100 mijë qytetarë i kanë kryer tashmë të dy dozat e vaksinës, teksa tha se do të vijojë furnizimi me vaksinat anticovid në ditët e ardhshme.
“Kemi mbërritur në objektivin tonë të parë prej 500 mijë vaksinimesh të kryera në ditët e para të majit dhe jemi të vendosur të ecim me shpejtësi drejt objektivit të ri, për kryerjen e 1 milion vaksinimeve. Sot janë rreth 100 mijë qytetarë që i kanë kryer të dy dozat e vaksinës, duke siguruar një mbrojtje më të mirë nga virusi i rrezikshëm”, deklaroi Manastirliu.
Duke folur për kalendarin e mbërritjes së vaksinave, Manastirliu tha: “Kemi mbi 730 mijë doza vaksinash që kanë mbërritur në vend. Dhe përgjatë kësaj jave do të kemi edhe 11 mijë e 700 doza vaksine Pfizer, të cilat priten të vijnë. Sikundër vijojmë të furnizohemi përgjatë muajit maj me 99 mijë doza vaksine nga kontrata jonë me Pfizer, instrumentin e Covax, si dhe me një instrument të ri të mbështetjes së Bashkimit Europian, për alokimin e vaksinave për vendet e Ballkanit”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë nënviozi se situata epidemiologjike në vend paraqitet e kontrolluar, por bëri apel për qytetarët, që të vijojnë të zbatojnë rregullat antiCOVID.
“Është fakt se tashmë kemi një përgjysmim të incidencës dy javore për 100 mijë banorë dhe ka një rënie të ndjeshme të shtrimeve në spitale nga javët që lamë pas. Edhe pozitiviteti është ulur dhe është tashmë 4% mesatarisht. Ekspertët tanë të Komitetit Teknik janë duke vlerësuar në mënyrë dinamike masat, por gjithçka do të varet nga ecuria e epidemisë. Çlirimi gradual i jetës social-ekonomike duhet medoemos të shoqërohet nga masat e distancimit fizik, vendosjen e maskës dhe mbajtjen e higjienës, në mënyrë që të mos bëjmë hapa mbrapa dhe të vijojmë të vendosur përpara në këtë kilometër të fundit drejt kthimit në normalitetin aq shumë të dëshiruar”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu i ka kërkuar qytetarëve të dëgjojnë autoritetet shëndetësore, për të kryer sa më parë vaksinën anticovid që ju ofrohet.
“Është e rëndësishme që të dëgjoni autoritetet shëndetësore. Fakti që sot janë mbi 400 mijë gjyshe, gjyshër, prindër të vaksinuar, të çliruar nga barra e rëndë e izolimit të këtyre muajve, duhet të na bëjë të gjithëve akoma më të përgjegjshëm, për rëndësinë që ka vaksinimi i shpejtë, për të siguruar mbrojtjen ndaj virusit të rrezikshëm; për të marrë pa mëdyshje, vaksinën e parë që ju ofrohet. Sepse çdo kohë e fituar, është një jetë e shpëtuar”, tha Manastirliu.
Sot pritet të miratohen në Kuvend disa akte normative, përsa i përket amendimit të marrëveshjes me distributorin e autorizuar të Coronavac në Republikën e Turqisë, për të rritur më tej sasinë e vaksinave të Sinovac, për të pasur më shumë disponibilitet për vaksinat që administrohen në vend dhe për të vijuar me vaksinimin masiv.
Vaksinimi masiv ka vijuar me kalendar të kombinuar në të gjithë vendin për personat mbi 60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 518,679 doza të vaksinës ndaj COVID19, prej të cilave mbi 419,246 vaksinime për persona mbi 60 vjeç.