Pavarësisht se kërkon që nga procesi i brendshëm demokratët të dalin të bashkuar, Lulzim Basha ka vendosur të mos lërë pa përgjigje kritikat e vazhdueshme të kundërshtarëve të tij brenda partisë. Nga Dibra, të cilën kryetari në detyrë i PD, e quan simbol të shitblerjes së votës i quajti komente të cekëta dhe mendjelehta deklaratat e një dite më parë të Bujar Nishanit se teza e Bashës ‘masakër zgjedhore’, është spekulative dhe e padrejtë.
“Ju e dini se për çfarë po flas. E njihni po aq mirë arsenalin e poshtërsive që është derdhur, madje e njihni më mirë se disa që e komentojnë cektësish dhe mendjelehtësish nga Tirana masakrën zgjedhore të 25 prillit. Sepse këtu larg syve përtacë të disave në Tiranë, shteti i bëri njësh me partinë, shteti i bërë njësh me krimin dhe oligarkinë merr forma edhe më të ashpra edhe më të dukshme duke mos i konsideruar si kundërshtarë politikë, si normalitet i pluralizmit, por si armiq”, tha Basha.
Por i vendosur për ta konsideruar masakër elektorale 25 prillin, Basha tha se vendi ndodhet në një pikë kritike.
“Dhe sot pas 30 vitesh kemi arritur në një stacion kritik për vendin. Është në rrezik sepse zgjedhje si ato të shtatorin të 2016-ës apo 2017-ës apo masakra zgjedhore e 25 prillit mohojnë të drejtën themelore të qytetarëve të zgjedhë një qeveri, atëherë pushteti s’i takon më njerëzve, s’i takon më popullit, s’i takon më qytetarëve dhe vendi kthehet siç është kthyer këtu në Dibër e anë e mbanë vendit në peng të një pakice, të një pakicë brenda një pakice e cila nuk përfaqëson më interesat e njërzve dhe nuk lufton më për interesat e njërëzve por kthehet në një armike publike të interesave të njerëzve”, u shpreh ai.
Demokratëve të Dibrës, Basha i kërkoi edhe një herë votën për të drejtuar partinë, teksa i ftoi ata që të bëhen pjesë e procesit të brendshëm për zgjedhjen e kryetarit të ri më 13 Qershor.
Një ditë më parë Bujar Nishani e quajtur një tezë të padrejtë dhe spekulative identifikimin e 25 prillit si një masakër elektorale, siç ka bërë deri më tani kreu aktual i PD-së. Nga Korça, Nishani tha se e gjitha kjo tezë e hartuar dhe e trumbetuar me të madhe në publik nga Basha, po bëhet për të manipuluar demokratët në mënyrë që të rimarrë për herë të tretë drejtimin e PD-së.