Nga Ergi Picaku/

Fushata për kryetar në partinë Demokratike ka nisur zyrtarisht dhe kandidatët që janë përballë kreut aktual Lulzim Basha kanë paraqitur platformat e tyre për drejtimin e selisë blu. Si për t’i treguar Bashës së duhet të largohet, emëruesi i përbashkëti të tre kandidatëve është kufizimi i mandatit të kryetarit që duhet të japë dorëheqjen nëse nuk udhëheq partinë drejt suksesit në zgjedhjet parlamentare.

“Duhet të vëmë pikat mbi “i” për sa i përket meritokracisë brenda në parti, qarkullimit të elitave partia demokratike ka nevoje për një statut të ri. Kryetari i partisë nuk duhet të rikonfirmohet më në detyrë, duhet të japë dorëheqjen mbas një humbje në zgjedhjet e përgjithshme”, shprehet Edith Harxhi.

“Ndarja e rolit të kryetarit nga administrator i partisë. Kryetari është udhëheqësi politik i partisë për 4 vjet. Mandati i kryetarit mbaron kur shpallet rezultati i zgjedhjeve dhe ai ose është kryeministër ose ikën. Kryetarët lëvizin partia mbetet”, thotë Fatbardh Kadilli.

“Kryetari që humbet zgjedhjet i mbaron mandati dhe nuk ka të drejtë rizgjedhjeje. Nuk është hera e parë që një opsion i tillë paraqitet”, shprehet Agron Shehaj.

Kritikët e Lulzim Bashës e propozuan edhe në vitin 2017, por pa gjetur mbështetje. Katër vite më pas, Lulzim Basha nuk ka vetëm një kandidat rival përballë, por tre të tillë. I pari që doli publikisht me një program për drejtimin e PD-së, ishte Fatbardh Kadilli, i cili foli për një parti të hapur që të pranojë brenda vetës fraksione që përfaqësojnë mendime të ndryshme.

Ndërsa Edith Harxhi mendon se PD ka humbur identitetin e saj e për këtë arsye sheh si të vetëm zgjidhje një ristrukturim të thellë të partisë. Agron Shehaj, është i vetmi mes 3 sfidantëve që vjen nga grupi parlamentar dhe është një nga njerëzit e afruar në parti nga vetë Basha. Ai mendon se duke i dhënë më shumë peshë në vendimmarrje anëtarëve të thjeshtë do të forcojë akoma më shumë partinë.

Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli, reflektimin dhe ndryshimin e Partisë Demokratike e lidhin edhe me qeverisjen e ardhshme të vendit. Platforma e tyre në disa pika i ngjan edhe një programi qeverisës që u drejtohet jo vetëm anëtarëve të Partisë Demokratike.

Për analistët, fakti që në garë për kreun e PD janë katër kandidatë nuk tregon për hapje të partisë por të kundërtën. Edlira Gjoni e sheh si tregues të fraksioneve brenda saj që më shumë se sa e bashkojnë e përçajnë PD. Pavarësisht këtyre platformave e programeve, Afrim Krasniqi mbetet skeptik. Sipas tij PD po tregon që nuk ka ndërmend të shkëputet nga e shkuara.

Për herë të parë për zgjedhjen brenda partisë demokratike foli Sali Berisha. Lideri historik i demokratëve shprehu habi për afrimin e procesit pasi sipas tij zgjedhjet duhet të ishin paraprirë nga një analizë e thellë, duke dhënë si rrallë herë një sinjal që nuk shkon në sinkron me lëvizjet e Lulzim Bashës.

“Jam i habitur nga votimi unanim i Këshillit Kombëtar për datën e zgjedhjeve, detyra me kryesor është faktimi i batërdisë elektorale para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar dhe e dyta një analizë serioze e të gjithë veprimtarisë së Partisë”, tha Sali Berisha.

I pyetur nga Alfred Lela, në “PolitikON”, nëse Basha duhej të kishte dhënë dorëheqjen, Berisha edhe pse e quan si një akt individual, sërish dërgon një sinjal që nuk puqet me qëndrimet e Bashës. “Kjo është një çështje individi por kjo pyetje nuk mund t’i bëhet një njeriu që tashme e ka dhënë dorëheqjen, unë kam pasur këtë vendim”.

Lulzim Basha, i cili kërkon një mandat të tretë në krye të Partisë Demokratike, nuk ka paraqitur një platformë apo program, duke synuar te vazhdimësia e çfarë ka nisur prej vitesh. Por ishte pikërisht lideri historik i demokratëve që shpjegoi se ka diçka akoma më të rëndësishme se premtimet e garuesve. “Miqësisht iu bëj thirrje demokratëve, bëni gjithçka për dinjitetin e kësaj gare sepse është në interesin tuaj dhe duhet të dalim nga kjo garë faqebardhë”. (A2)