Mediat serbe i bëjnë jehonë “sulmit” të presidentit Ilir Meta dhe të Sali Berishës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi e shpallën “non grata” ish-kryeministrin dhe familjen e tij. Televizioni publik serb RTS, i ka bërë mjaft jehonë me disa shkrime sulmeve të Metës. RTS thekson në një kronikë të saj se Departamenti i Shtetit i SHBA ka shpallur non grata ish-kryeministrin Sali Berisha për shkak të korrupsionit, keqpërdorimit të fondeve dhe minimit të demokracisë. Në shkrim përmendet dhe reagimi i Metës ndaj SHBA, duke mbrojtur Berishën. Meta e quajti aktin e shpalljes ‘non grata’ të Berishës të pabesë që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër .
“Është një veprim i turpshëm, i pandershëm dhe i neveritshëm”, shkroi Meta, duke akuzuar “lobin antishqiptar” se qëndron pas kësaj lëvizje nga Sekretari i Shtetit i SHBA Anthony Blinken, thekson RTS.
Gazeta më e rëndësishme politike e Beogradit ka reaguar dhe për padinë që Berisha paralajmoi ndaj sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinke për shpifje.
“Sali Berisha, një nga politikanët më të fuqishëm shqiptarë në tre dekadat e fundit, njoftoi se do të padisë Sekretarin e Shtetit Anthony Blinken për shpifje para një gjykate Franceze, pasi ai u ndalua të hynte në territorin e Shteteve të Bashkuara. Departamenti i Shtetit deklaroi se retorika e Berishës tregon se ai dëshiron të mbrojë veten, anëtarët e familjes dhe aleatët politikë në kurriz të hetimeve të pavarura dhe luftës kundër korrupsionit. Përveç Sali Berishës, me këtë akt, gruaja e tij Lira Berisha, djali Škeljzen dhe vajza Argita Berisha Maltei u ndaluan të hyjnë në Shtetet e Bashkuara”, raporton RTS.
Portali i financuar nga ministria e Jashtme ruse, Sputnik, i cili transmeton në disa gjuhë, në edicionin ballkanik që ka në gjuhën serbe shkruan se “Presidenti shqiptar Ilir Meta i doli në krah të Sali Berishës në një shkëmbim fjalësh të ashpra me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se vendosja e ish-kryeministrit në listën e zezë të SHBA ishte ‘një veprim i turpshëm dhe i neveritshëm i lobit antishqiptar’. Sputnik thekson se mazhoranca po përgatitet të zëvendësojë Ilir Metën si President, e ky i fundit ka nisur një betejë me qeverinë amerikane.
SHBA ka futur në ‘listën e zezë’ Sali Berishën dhe familjen e tij me argumentimin se është përfshirë në akte korruptive si keqpërdorimi fondeve publike dhe ndërhyrje me proceset publike duke përdorur fuqinë për përfitime personale, dhe pasurimin e aleatëve politik dhe familjen. Në reagimin e tij Sali Berisha tha se do padisë Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken për shpifje pas i kishte cenuar dinjitetin, ndërsa shtoi se DASH të bëjë publike faktet dhe provat që ka për këto akuza në drejtim të tij.
Padinë ndaj Blinken, Sali Berisha e ka ngritur për shpifje përmes avokatit francez Jean-Yves Le Borgne, një ndër më të kushtueshmit dhe këtë padi e ka ngritur në gjykatën Korreksionale të Parisi, pasi Berisha e cilësoi Francën si një vend neutral në lidhje me këtë çështje.