Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me mësuesit që morën pjesë në projektin për mësimin nëpërmjet televizorit pas marrëveshjes mes Ministrisë së Arsimit dhe RTSH-së.
Rama tha se kriza tregoi se mund të bëhen gjëra shumë të mira në një kohë rekord, që në kushte normale mund edhe të mos ishin bërë.
Kreu i qeverisë para mësuesve tha se kjo eksperiencë do të vlejë dhe për të ardhmen, pasi qeveria e ka pasur në plan dixhitalizimin në shkolla dhe mësimin e integruar online dhe në klasa.
“Ky është një aset që do të na vlejë dhe nesër. Kjo është një eksperiencë që na ka mësuar gjëra që nuk mund t’i mësonimin dot ndryshe. Do ta çojmë në një nivel më të lartë sistemin parauniversitar.
Marrëveshja për RTSH Shkolla është bërë për 48 orë, një kohë rekord. Kjo na mëson se aty ku ka një qëllim të përbashkët, mundësia për ta përshpejtuar kohën e realizmit është shumë e madhe.
Nëse nuk do të ishim në krizë, kjo marrëveshje mund të kishte marrë muaj dhe vite. Një tjetër mësim që kemi marrë nga kjo eksperiencë është dhe përballja prej vitesh me fenomenin e klasave kolektive, por kemi pasur dhe në planet tona për dixhitalizimin.
Duam që t’ua çojmë shkollën fëmijë në zonat ku zhvillohet mësimi në klasa kolektive, ta çojmë drejtpërdrejtë në shtëpinë e tyre“, u shpreh ndër të tjera Rama.
Kryeministri po ashtu u shpreh se mësuesit që u zgjodhën për këtë projekt janë shembull për të gjithë trupën e mësuesve në të gjithë vendin.