Seria A do të luajë sonte aktin e fundit të këtij sezoni që padiskutim rezervon emocione të mëdha edhe në vijën e finishit. Kjo pasi tre skuadra Milan, Napoli dhe Juventus do të luftojnë për dy vende që të çojnë në Champions League sezonin e ardhshëm. Deri më tani të sigurtë e kanë Interi kampion dhe Atalanta e vendit të dytë, që ka 3 pikë më shumë se Juventusi i vendit të dytë, por ka avantazhin e ndeshjeve direkte me ‘zonjën e vjetër’.

Sakaq në dorën e tyre për t’u kualifikuar e kanë Milani i vendit të tretë, por edhe Napoli i vendit të katërt. Gjithsesi llogaritë për ‘djajtë’ e Stefano Piolit komplikohen kur sheh se java e 38 i përball me Atalanta-n, një kundërshtar që dy sezonet e fundit ka qenë më lart se Milani. Në prag të takimit trajneri i kuqezinjve Stefano Pioli ka deklaruar se kjo është sfida ku duhet të tregohet se ‘skuadra e tij është rritur’.

Milan ishte kampioni i dimrit në Seria A, por faza e dytë e sezonit i ka komplikuar gjërat, ndërsa vetëm në javën e parafundit hodhën në erë mundësinë për ta siguruar objektivin kur barazuan 0-0 me Cagliari-n. Gjithsesi tifozët i kanë kërkuar një sforco të fundit dhe për këtë i kanë mbështetur edhe në qendrën stërvitore me prezencën e tyre.

Më e lehtë duket situata për Napolin, që në stadiumin ‘Diego Armando Maradona’ pret Verona-n, një skuadër që s’ka asnjë pretendim në ndeshjen e fundit. Ndërkohë për të shpresuar Juventusi mbi të gjitha duhet të fitojë transfertën kundër Bologna-s. Në këtë rast skuadra e Pirlos duhet të shpresojë te një humbje ose barazim i Milanit dhe Napolit.

Barazimi me Bologna-n në asnjë rast nuk bën që Juventusi të shkojë në Champions League pasi edhe nëse shkon me pikë të barabarta me Napolin, skuadra e drejtuar nga Gatusso ka avantazhin e golavarazhit. Të trija sfidat do të luhen sonte në orën 20:45.