Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi ka marrë pjesë sot në Panairin e Punës dhe të Studimit (Work & Study) organizuar në qytetin e Elbasanit. Bashkë me Kryetarin e Bashkisë Elbasan Z. Gledian Llatja dhe Kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë Z. Nikolin Jaka, Znj. Kushi ka vizituar stendat e këtij panairi.

Ajo shprehet se ky panair është kthyer tashmë një traditë disavjeçare bashkëpunimi midis MASR dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, organizuar sot me mikpritjen e Bashkisë Elbasan, i cili ofron mundësi shumë të mira për të rinjtë, kompanitë e biznesit, universitetet dhe maturantët.

Ministrja Kushi nënvizon faktin se nëpërmjet këtij panairi, nga njëra anë, të rinjtë mund të njihen me alternativat e punësimit, me kompanitë dhe ofertat që ata kanë për punësim, por nga ana tjetër është një mundësi shumë e mirë edhe për vetë kompanitë, për të rekrutuar kapitale njerëzore, pra të rinj e të reja me energji dhe të diplomuar sipas standardeve më të mira.

Ajo përmend edhe faktin pse është i rëndësishëm ndër të tjera organizimi i panairit në këtë moment:

“Si Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, mua më vjen mirë që këtu në këtë panair nuk kemi vetëm punësimin, por kemi edhe studimin. Pra, këtu kemi universitete ndër më prestigjiozet në vend, që njohin maturantët me programet e tyre të studimit. Është moment shumë i rëndësishëm, sepse sot të gjithë maturantët po përgatiten për provimet e maturës dhe shumë shpejt do të vendosin se në cilin program studimi do të studiojnë. Prandaj, momenti që keni zgjedhur për ta organizuar këtë panair është moment shumë i rëndësishëm. Ndaj unë do t’i inkurajoja të gjithë të rinjtë e të rejat, të gjithë nxënësit e Elbasanit që të vijnë të informohen për të gjitha alternativat këtu”.

Ndërsa panairi në Elbasan do të jetë i hapur deri në fund të ditës, Ministrja Kushi inkurajon të rinjtë ta vizitojnë vizitojnë atë nga afër dhe të njihen me alternativat e ndryshme që ofrohen.