Ministrja Manastirliu nga Qendra e re Shëndetësore e rindërtuar në Synej, Kavajë ku njoftoi edhe mbeërritjen sot të 12,870 doza të vaksinës Pfizer.
Manastirliu ka njoftuar lajmin nga qendra e re shëndetësore Synej, në Kavajë, pjesë e programit të 300 qendrave shëndetësore.
“Sot presim sërish doza të vaksinave Pfizer, nëpërmjet kontratës sonë me me Pfizer, gjithashtu edhe kontratës pjesë e mbështetjes së Bashkimit Europian do të mbërrijnë sot në vend 12,870 doza të vaksinës Pfizer. Ato do të shpërndahen menjëherë në të gjithë territorin për të vijuar qoftë me vaksinimin e kategorive të planifikuara, qoftë me rivaksinimin, me dozat e dyta me këtë vaksinë”, ka bërë me dije Manastirliu.
Duke theksuar se rindërtimi i qendrës shëndetësore Synej, e cila do të ofrojë shërbim me cilësi dhe standarde për rreth 13 mijë banorë është një premtim i mbajtur, Manastirliu tha se programi i rindërtimit të qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë vendin do të vijojë.
“Programi i rehabilitimit dhe rindërtimit të qendrave shëndetësore dhe ambulancave kudo në vend do të vijojë. Nuk përfundojmë vetëm me 300 qendrat dhe ambulancat të cilat tashmë janë në finalizim. Por do të vijojmë derisa edhe qendra më e fundit apo ambulanca më e fundit në zonat më të thella të jetë rehabilituar”, tha Manastirliu.
Deri më sot kanë mbërritur mbi 760 mijë doza vaksinash anti Covid, ndërsa sot pritet të mbërrijnë 12,870 doza vaksine Pfizer, nga të cilat 8.190 janë nga kontrata me Pfizer dhe 4.680 doza nga mbështetja e Bashkimit Europian.