Partia Demokratike ka njoftuar se do të mbledhë të dielën forumet më të larta Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar për të vendosur me gjasë rrugën ku do të ecë partia më e madhe e opozitës pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Lidhur me këto zhvillime politike foli sot në edicionin e lajmeve të MCN TV analisti Mustafa Nano. Ai i cilësoi vendimet e PD si taktika të Bashës për të fituar kohë, ndërkohë që shtoi se kryedemokrati nuk ka demonstruar të jetë lider dhe ka lënë përshtypjen që është tërhequr zvarrë nga dy mumje si Berisha dhe Meta.
Nano, Partia Demokratike mbledh kryesinë dhe Këshillin Kombëtar, pritet që të ketë një reflektim mbi përgjegjësinë e Bashës për rezultatin e zgjedhjeve?
Nano: Nuk besoj që nga mënyra se si është përcaktuar argumenti për të cilën janë thirrur këto forume. Janë bërë për t’i dhënë kohë Bashës për taktika të reja. Një person që vetëm humb ka filluar një tur nëpër Shqipëri. Basha përcakton tematikën e bisedës në forume, ai i ka lexuar në mënyrën e vet zgjedhjet dhe gjithë të tjerët që i lexojnë ndryshe janë të lutur të mos flasin sepse tema është “masakra elektorale”. Nuk e di pse i bën këto gjëra.
Në këtë periudhë Basha i ka njohur gabime vetes, por pa i specifikuar ato. Ku mendoni se ka gabuar Basha në raport me drejtimin e partisë dhe opozitën që ka bërë?
Nano: Mua për herë të parë Basha më ka pëlqyer në dy muaj deri më 25 prill, doli para shqiptarëve me një portret të moderuar dhe këto të japin frute. Për sa i takon pjesës që ka bërë liderin e opozitës ai nuk ka demonstruar që të jetë një lider. Nuk ka qenë si i zgjedhur, por ka lënë përshtypjen që është tërhequr zvarrë nga dy mumje, Berisha dhe Meta. Nuk ka treguar se ka pasur në plan një epokë të re politike. Të dëgjoje pas zgjedhjeve që Basha fliste dhe një tufë që thërrisnin “liri demokraci”, tregon që kjo parti ka mbetur në vitet 1990-të. Si drejtues i opozitës vetëm gjatë fushatës më ka pëlqyer, ndoshta ngaqë ka pasur këshilltarë të huaj të mirë. Rama gjatë fushatës u tha shqiptarëve një gjë që e dinë të gjithë që Basha nuk është lider.
Jemi në një periudhë paszgjedhore ku nuk ka më surprizë. Ajo që dua të pyes është pse zgjedhjet nuk sollën asnjë ndryshim, pra në terma politikë vendi është po njësoj?
Nano: Kam përshtypjen që kryeministri i vendit i pari e ka kuptuar këtë gjë. Duke qenë se ndryshimi nuk ndodhi ai po rishpik vetveten, ka lënë të kuptohet koalicioni me opozitën, tonet e tij kanë qenë të kontrolluara, unë se kam parë këtë asnjëherë. Kjo është një lojë e niveleve teatrale dhe bëhet sepse ka kuptuar që vendi ka nevojë për ndryshim dhe në mos për ndryshim për mënyra të reja.
Nënkryetari i Komsionit Hetimor për presidentin, Murrizi tha në një intervistë për MCN se njerëz të emëruar dikur nga Berisha janë sot deputetë të Edi Ramës, duke përmendur Benet Becin. Ku është ndryshimi mes dy kampeve?
Nano: Nuk e njoh atë person, por ka qenë i natyrës teknike. Kryeministrat emërojnë njerëz të tillë pavarësisht orientimit politik, nuk e shoh problemin te Benet Beci. E ka parë thjeshtë teknik, duke parë imazhin e mirë të tij në Shkodër. Ndryshimet mes partive janë në atë masë që ndryshojnë liderat, jo në programe. Basha u përpoq të bënte premtime, por ishin improvizime. E gjithë gara mes tyre ishte show dhe Rama e fiton që në nisje sepse është një showman dhe çdokush e ka të sigurt humbjen. Udhëheqësit nuk kanë një identitet të tyrin, e vetmja gjë që kanë është të vijnë në pushtet dhe bëjnë edhe premtime magjistarësh. Rama ka folur për miliarda dhe maja, Basha ka folur për udhëheqjen e tij përballë një diktatori.