Parlamenti miratoi ndryshimet e bëra në Kodin Rrugor nëpërmjet të cilit ashpërsohen masat për drejtuesit e mjeteve që përdorin celularin në timon, alkool, ose kanë kryer shkelje të përsëritura.
“Nga analizat tona, një përqindje e madhe vjen nga përdorimi i këtyre aparateve, barazohet sanksioni me atë që ekziston për rripin dhe shpresojmë të na japë rezultate.
Kemi edhe një ndryshim interesant sipas meje, ai kundër sjelljes agresive në rrugë”, thotë zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj për A2. Në ndryshimet e kodit rrugor janë sanksionuar dhe pikët e patentës.
“Në rast të mbarimit të tyre çdo person do të duhet të kryejë kursin e autoshkollës nga e para. Sot, detyrohet ai që ka mbaruar pikët të futet në një kurs të plotë të marrjes së patentës. Ka një disiplinim për përdorimin e alkoolit, me një përshkallëzim më të saktë”, vijon zëvendësministri i Brendshëm.
Hodaj tha se aksidentet kushtojnë më tepër jetë sesa ngjarjet kriminale.
“Në uljen e vdekshmërisë në rrugë ndikojnë shumë faktorë, i pari legjislacioni. Po të shihni grafikët, do të shihni se ka ulje në vitet 2015-16 aty ku u ashpërsohen masat për rripin e sigurimit. Jemi aty ku duhet? Ende jo, prandaj kemi futur edhe këto elemente”, vijoi Hodaj.
Tashmë dhe kolaudimi i automjeteve nuk do të bëhet i përvitshëm. Me ndryshimet e reja parashikohet që mjetet e përdorura të kryejnë kontrollin teknik një herë në çdo dy vite, ndërsa në afat më të gjatë për mjetet e reja.