Nga Denis Dyrnjaja
Shpallja e Sali Berishës non grata për korrupsion dhe ndikim të drejtësisë gjatë ushtrimit të detyrave shtetërore si President apo Kryeministër i Shqipërisë, nga Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken ka ngritur një valë reaksioni antiamerikan në Tiranë. Amerikanët po trajtohen si leshko që i përdor Edi Rama. Pra shfrenimi i fantazisë gati gati naive shkon deri në pikën sa me rregull treshi aq fuqi ka Edi Rama nga Tirana sa të komandojë ose minimumi të ndikojë politikat dhe qëndrimet e Departamentit të Shtetit në Washington përmes skenarëve të krijuar në Tiranë. Ndikimi përmes lobimeve thonë kundërshtarët e Ramës ka shtyrë Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken të shkojë deri në vendimin ekstrem për të shpallur Berishën non grata.
Zelli i kundërsulmit antiamerikan ka në thelb prezumimin e pafajësisë i cili njeh një minimum të papërfillshëm rastesh kur akuzat nuk janë të vërteta. Theksoj nuk janë të vërteta, sepse është diçka tjetër një akuzë e pavërtetë dhe është diçka tjetër një akuzë e paprovueshme si e vërtetë. Pjesa e dytë pra paprovueshmëria nuk tregon se krimi apo shkelja e ligjit nuk ka ndodhur, por thjeshtë ato janë paramenduar për t’u fshehur ose kamufluar. Dhe përsa kohë këto prova nuk provojnë lidhjen shkak pasojë personi prezumohet i pafajshëm. Kjo e shpëton atë nga ndëshkimi ligjor, por jo domosdoshmërisht krijon bindjen se ai nuk e ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar. Pra fakti që personi ka ditur të fshehë, tjetërsojë, kamuflojë ose justifikojë provat e paligjshmërisë së tij, e bën atë të pandëshkueshëm nga ligji, por s’do të thotë se kjo krijon edhe bindjen e arsyeshme në publik se personi është i papërlyer në një veprimtari të paligjshme.
Pikërisht në këtë qëndrim është pozicionuar Washingtoni i cili ndryshe nga publiku shqiptar që ecën edhe mbi baza perceptimi ka të dhëna të besueshme që e kanë shtyrë në qëndrimin se Sali Berisha ka shkelur ligjin dhe ka favorizuar familjarët, apo bashkëpunëtorët politikë për të përfituar në mënyrë të paligjshme pasuri me ndikimin e pushtetit. Përmes këtij pushteti dhe njerëzve të emëruar prej tij ose gjatë pushtetit të tij në drejtësi Berisha ka ushtruar edhe ndikimet e nevojshme në mënyrë direkte ose indirekte për të paralizuar veprimin e saj. Ai solli në vëmendje rastin e Ilir Metës. Të gjithë e kujtojmë skandalin e bllokut të Metës me të ndjerin Dritan Prifti kur ky i fundit ishte ministër i Energjisë.
Skandali plasi nga video ku shqiptarët panë me zë e figurë Metën të angazhohej në afera. Në atë kohë ai dha dorëheqjen si zv/kryeministër e tha se ishte i gatshëm të hetohej dhe gjykohej por kjo mesa duket me besimin se drejtësia ishte e pafuqishme të vepronte nën presionin e politikës. Ai kishte marrë garanci për këtë. Berisha asokohe kryeministër për t’i dhënë siguri mikut dhe aleatit të tij politik, i shkoi një ditë para vendimit të gjykatës në shtëpi për darkë. Darka e Berishës në shtëpinë e Ilir Metës nuk u bë rastësisht lajm. Mesazhi ishte i qartë për drejtësinë: kujdes me vendimin!
Dhe drejtësia nuk zhgënjeu me pafuqinë e saj e shpalli videon të montuar e procesi ra. Ilir Meta vijoi aktivitetin politik. Më 21 Janar 2011 në bulevard për bllokun e tij të aferave u vranë 4 njerëz të pafajshëm. Berisha edhe vite më pas vazhdon ta mbrojë atë ngjarje duke thënë se 100 herë të ndodhte do vepronte njëlloj madje do shenjestronte me sniper edhe vetë kreun e opozitës së kohës Edi Rama. A jemi ende në kushtet e prezumimit të pafajësisë?! Këtu futet në lojë armata antiamerikane e mbrojtjes së prezumimit të pafajësisë, një pjesë nga tifozeria dhe ndjeshmëria për liderin politik, ndërsa pjesa tjetër nga halli se kanë kryer të njëjtat zullume në shkelje të ligjit për qëllime përfitimi, por me forma të tjera dhe i bien gajdes së ligjshmërisë e tam tameve të moralit të drejtësisë.
Në rastin e z Berisha të parët janë të justifikuar në mënyrë të natyrshme se pasioni politik i shtyn të mendojnë se idhulli gjithnjë është i pagabueshëm, i ndershëm dhe pandëshkueshëm. Kurse të dytët janë në hall. Jo për Berishën por për veten. Se njësoj si Berisha edhe ata e kanë futur diku dorën në xhepin e shtetit për të rrufitur ndonjë milion dollarë, ose kanë mbyllur sytë për të kaluar ndonjë tender disa milion dollarësh. Pra halli është te ankthi se lista amerikane nuk përmban vetëm 2 apo 3 emra.
Ajo është shumë më e gjatë, me bëma e gjëma të ish pushtetarëve dhe pushtetarëve aktualë. Po pse nisi nga ish-ët do pyeste dikush? Nuk nisi nga ish-ët, por nisi nga ata që prodhojnë destabilitet nëse i prek. Amerika po shënjestron politikisht kokat e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. I takon drejtësisë të provojë paligjshmërinë e tyre.
Për amerikanët Berisha & co janë abuzues të pushtetit. Për ne mbetet për t’u provuar ligjërisht. Ata i kanë provat e tyre, ne kemi bindjet tona. Mes nesh ka nga ata që vazhdojnë ison e prezumimit të pafajësisë a thua se nuk kemi jetuar në këtë vend e se dimë kush është kush. Na dolën valixhet e drurit të mbushura me para nga dhuratat e familjes dhe farefisit. Por derisa drejtësia të flasë me prova do na duhet të fyejmë inteligjencën më minimale duke prezumuar pafajësinë e çdo pushti pushtetar hajdut. Çështja është se ne edhe mund të gënjehemi ose vetgënjehemi, por amerikanët si vështirë e kanë të sugjestionohen nga ky prezumimi i pafajësisë./dritare.net