Anxhela Peristeri ishte e para që u kualifikua për në natën finale të enjten në mbrëmje, ku do të përfaqësojë Shqipërinë me këngën “Karma”, me muzikë të Kledi Bahitit dhe vargje të Olti Currit. Me dhjetë shtetet finaliste të përzgjedhura në gjysmëfinalen e dytë u plotësua lista e plotë prej 26 shtetesh që do të performojnë sonte (e shtunë) në finalen e madhe, pra më 22 maj në Roterdam të Hollandës. Finalja do të mbahet në “Ahoy Arena”, ndërkohë që shqiptarët janë në pritje të rezultatit final.
Por le të ndalojmë te performanca e Anxhela Peristerit, të cilën fansat e krahasojnë me artisten me famë botërore Beyonce. Qëkur kanali zyrtar i “Eurovision” në “YouTube” publikoi një pjesë të performancës së Anxhelës gjatë provave, të gjithë filluan me komentet. Përveç talentit në të kënduar, artistja tërhoqi vëmendjen e të gjithëve edhe me lookun që kishte zgjedhur.
Ajo kishte veshur një “body” me gurë dhe duket në super-formë fizike, duke ekspozuar këmbët pas dobësimit. Shumë fansa e krahasuan Peristerin me këngëtaren me famë botërore, Beyonce, e cila ka dhe prezencën e sigurinë skenike dhe zërin. Ndërkohë që fansat kanë filluar me bastet online, pasi shumë prej tyre janë të bindur se Anxhela do të hyjë në dhjetëshën më të mirë, ndërsa të tjerë mendojnë se Shqipëria sërish do të vuajë pasojën e votimeve gjeopolitike.
Në një intervistë për “Shqipëria Live”, këngëtari Ardit Çuni, që është pjesë e ekipit të Anxhela Peristerit në Roterdam, e konsideroi performancën e saj në Eurovision si më të arrirën në karrierën e Anxhelës.
Ky konkluzion bazuar në aftësinë e Anxhelës për të kënduar live, por edhe për paraqitjen skenike në tërësi.
Edhe pse nuk u shfaq në skenë me ndonjë “shpikje” sa i takon veshjes, ajo u pëlqye, pavarësisht faktit se fustanet në formën e truporeve vishen nga pothuajse të gjithë këngëtaret që performojnë live në skena të rëndësishme, duke filluar nga J.Lo apo Beyonce.
Krahasuar me disa konkurrentë të tjerë, në performancën e saj ra në sy mungesa e back-vokaleve, mungesa e balerinëve dhe efektet skenike mbrapa siluetës së Anxhelës. Ajo bashkëpunoi me koreografen suedeze dhe artisten për performancat skenike, Sacha Jean-Baptiste, e cila e prezantoi në mënyrën e duhur performancën e Anxhelës.
Sa për mungesën e balërinëve, një komentues në “YouTube” shkruante: “Anxhelës nuk i duheshin balerinët. Ajo e krijoi atmosferën vetë. Kënga ishte e fuqishme dhe në shqip”.
Anxhela këndoi në gjuhën shqipe, pa kuptuar gjë të huajt, përveç titullit, një fjalë e ndërkombëtarizuar: “Karma”. “Shqipëria vazhdon dhe përfaqësohet me këngë në gjuhën shqipe, pa i përkthyer në anglisht, sepse është më interesante kur përfaqësohesh me kulturën tënde”, shkruante një tjetër fansi i Eurosong. Ndërsa prezëncën e saj e vetme në skenë, komentuesit e konsiderojnë të duhurën, pasi ajo i këndon karmës, sepse ka mbetur pa miq dhe të dashur dhe kjo bën sens.