Mbledhja e Kryesisë së PD ka nisur, ndërsa pak para se të hynte në të, kandidati për kryetar i PD-së, njëherazi anëtar i Kryesisë së kësaj force politike, Fatbardh Kadilli, dha një deklaratë. Ai tha se Basha duhet të largohet, pasi nuk është më zgjidhja e PD-së por problemi i saj.
“Jam sot për t’i kërkuar edhe një herë dorëheqjen Lulzim Bashës. Nuk është më zgjidhje për PD-në por është problemi i saj. Sot mbyllet një periudhë zhgënjyese dhe fillon një periudhë shpresë. Jam i vendosur për ta çuar këtë projekt përpara.
E kam deklaruar nuk tërhiqem nga asnjë proces demokratik. Inkurajimi demokratëve dhe nevoja për ta ngritur kokën lart në një projekt shpresë më bënë më të fortë të përballem me Lulzim Bashën”, tha ai. Mbledhja e sotme shënon edhe përballjen e parë të Bashës me kritikët e tij në PD, të cilët i kërkojnë dorëheqjen pasi e bëjnë përgjegjës për humbjen në zgjedhje.