Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin online të forumit dy ditor të Nismës Adriatiko-Joniane/EUSAIR, presidencën 1-vjeçare të të cilës e merr Shqipëria.

Ministrja Xhaçka falënderoi presidencën sllovene për punën e bërë gjatë këtij viti, ndërsa theksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të çuar përpara të gjitha objektivat e NAJ-EUSAIR.

“Shqipëria beson në vijimësinë dhe nisur nga fakti se ndajmë gjerësisht të njëjtat përparësi dhe se nuk ka vizione dhe ide kontradiktore mes nesh, garantojmë se nisma do të bëhet dukshëm efikase. Ne do të përqendrohemi tek rinia dhe gjithëpërfshirja, tek kultura, turizmi, dixhitalizimi dhe do të punojmë për të forcuar marrëdhëniet me autoritetet lokale dhe rajonale dhe me rrjetet dhe shoqatat në rajonin e Adriatikut e Jonit”, tha ministrja, gjatë konferencës virtuale për shtyp në fund të ditës së parë të forumit.

Në ditën e dytë të forumit do të bëhet kalimi i presidencës së ESUAIR nga Sllovenia tek Shqipërisë, presidencë të cilën vendi ynë e nis nga 1 qershori 2021. Drejtimi i kësaj nisme nga vendi ynë, vjen pas presidencës së suksesshme të Shqipërisë të OSBE gjatë vitit 2020 dhe njëherësh edhe të Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik të Detit të Zi, për 6 muajt e parë të vitit 2021.