Nga Skënder Minxhozi/ Lulzim Basha as dha dorëheqje të parevokueshme, as iku të paktën disa ditë nga zyra, derisa të rizgjidhet formalisht në mes të qershorit. Tregoi se nuk i beson as atyre që prej javësh “bëjnë be” për kokë të tij dhe etiketojnë çdo njeri që del kundër kryetarit, si të shitur tek Edi Rama. As ky tabor zyrtarësh të sapozgjedhur që po mbushin studiot televizive me një pathos qesharak prej humbësi që e shet 25 prillin si fitore, nuk i japin vetëbesim tek rizgjedhja, kryetarit aktual të PD.
Është një situatë kaq groteske, sa humbja e rëndë politike në zgjedhjet e fundit po fillon të përjetohet si një normalitet tashmë i “konsoliduar”. Pse reagoni, kemi marrë shumë vota, thonë servilët e Lulzim Bashës, a thua se ky i fundit e ka marrë zyrën e kryetarit për të përmirësuar rezultatet e tij personale, e jo të mundë palën që ka përballë!
Partia Demokratike po përthyhet sipas karrierës së lakuar dhe plot kryqe të kuqe të Lulzim Bashës. Një forcë e madhe politike po vihet në shërbim jo të fatit të vet, por të destinit të një njeriu që ka vendosur ta marrë me vete partinë, drejt një fundi që akoma nuk duket sa i thellë dhe sa i largët mund të jetë. Sinjalet alarmante të Nishanit, Kadillit e Ristanit ndodhen kësaj radhe përballë një muri edhe më të shurdhët të lidershipit të partisë, se në vitin 2017. Atëhere Lulzim Basha bëri një “lëshim” të vogël statutor: vendosi të ngrijë funksionet e tij. Këtë herë gara me Kadillin dhe eventualisht të tjerët që do të kandidojnë, do të jetë tërësisht e pabarabartë edhe nga ana formale, pasi do të ketë një garues në listë që do të jetë kontrollori dhe urdhëruesi i çdo dege, strukture apo liste demokratësh që do të votojnë për kreun e ri të PD.
Me këtë proces fals, të inicuar paradokalisht nga një politikan që akuzon nga mëngjesi në darkë qeverinë për vjedhje votash, Partia Demokratike po shkon drejt një mpirjeje afatgjatë. Po projektohet një katërvjeçar tjetër i lehtë për Edi Ramën, i cili më së pari do të marrë legjitimimin e zgjedhjeve me fillimin e sezonit politik në shtator, e më pas do të shohë drejt votimeve të tjera në horizont me qetësinë e atij që e njeh mirë kundërshtarin e dobët që ka përballë.
Nga ana e vet, PD do të ketë makthin që do t’i dorëzojë edhe një herë frenat e punëve dhe të drejtimit të saj, në duart e dridhura dhe krejt të pabesueshme të Lulzim Bashës. Mund të tingëllojë e pakuptimtë, por opozita e djathtë po vendoset në pozitën që të urojë që zgjedhjet e rradhës të vijnë sa më rrallë dhe të jenë sa më larg, pasi personi që ka në pultin e drejtimit nuk di ta navigojë anijen drejt pushtetit. Dhe ky vetëdorëzim tek fati gri i opozitës së përjetshme është faji më i madh i Lulzim Bashës ndaj partisë së vet.