Nxënësit e klasave të 5-ta dhe të 9-ta, në arsimin 9-vjeçar, do t’i nënshtrohen procesit të provimeve këtë vit, ndryshe nga sa ndodhi vitin e shkuar akademik për shkak të pandemisë së COVID. E ftuar në “Report TV”, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se po ashtu edhe gjimnazistët, në provimet e maturës këtë vit nuk do të kenë vetëm pyetje me alternativa, si një vit më parë, por edhe me zhvillim, duke u rikthyer në këtë mënyrë në modelin e mëparshëm sa i përket provimeve.
“Ne u detyruam që provimet për klasën e 5 dhe të 9 t’i anulojmë vitin e kaluar, ndërsa për maturantët u bënë, por psh kishte provim vetëm me alternativa. Kemi dalë në konkluzionin që këtë vit do zhvillohet këto provime dhe për maturën do ketë edhe pyetje me zhvillim. Po i rikthehemi metodës së mëparshme. Vlerësimi do bëhet edhe me skanim elektronikisht. Kemi bërë ndryshime për nivelet e vështirësitë, 40% niveli i parë, 40% i dyti dhe vetëm 20% do të jetë niveli më i lartë i vështirësisë. Unë uroj shumë që të kthehemi vitin tjetër në mësimin ën banka, por duhet të jemi të përgatitur. Unë uroj që të mos i kthehemi mësimit online vitin që vjen”, tha Kushi.
Duke pranuar se mësimi online nuk është 100% efikas, sikurse mësimi në klasa, Kushi tha se po vlerësohen mangësit apo boshllëqet që mund të kenë nxënësit, për të hartuar më pas një plan vitin që vjen, për plotësimin e tyre.
“Ky vit ka qenë i vështirë, ka qenë një sfidë globale. Por prioriteti kryesor ishte jeta dhe shëndeti i mësuesve, nxënësve dhe të afërmve të tyre. Kemi punuar në një rrezik të jashtëzakonshëm. Kaluam një luftë të vështirë, që nuk ka përfunduar akoma dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Mësimi online nuk mund ta ketë efikasitetin 100%, por kemi marrë masa për të vlerësuar të gjitha mangësitë dhe problematikat e krijuara, pra boshllëqet, në mënyrë që të bëjmë një plan të posaçëm vitin e ardhshëm për të plotësuar këto mangësi”, u shpreh ministrja.
Për vendimin për për kthimin e studentëve në klasa për konsultime dhe provime, Kushi tha se kjo erdhi për shkak të uljes së numrit të mësuesve të infektuar dhe vaksinimit me ritme të shpejta në radhët e arsimtarëve.
“Ishim në një situatë ku ishte minimizuar shumë numri i mësuesve të infektuar dhe vaksinimi i mësuesve ka ecur me ritme më të shpejta se sa kishim pritur dhe ndaj morëm vendimin për rikthimin e nxënësve parauniversitar në klasa, por duke respektuar numrin minimal, klasat e ndara në dy grupe. Duke respektuar mbajtjen e maskave, të gjitha rregullat e përcaktuara pra. Më vjen mirë për maturantët, që kanë qenë totalisht online në zonat me rrezik të lartë nga COVID, ndërsa tashmë jemi në kushte ku po punohet për të rikuperuar mangësi që mund të jenë krijuar gjatë kësaj periudhe. Patëm vendim pozitiv për kthimin në auditorë të studentëve për konsultime dhe provime. E gjykuam të nevojshme që studentët të shkojnë në auditorë për konsultime e praktika dhe për të vijuar procesin e provimeve në auditorë”, theksoi Kushi.
Një koment Ministrja Kushi e pati edhe për situatën politike në vend, ku akuzat e PD ndaj PS për manipulim votash, i konsideroi “boshe”. Sipas saj, kjo është kthyer në një “traditë’ të PD sa herë që humbet zgjedhjet.
“Ne i inkurajojmë institucionet e drejtësisë që çdo akuzë e ngritur nga PD apo kushdo tjetër, të hetohet dhe nëse ka të vërteta të merren masa. Por për akuza në erë, që është bërë traditë për PD, që sa herë humbin zgjedhjet thonë janë vjedhur dhe i inkurajo deputetë e opozitës që çdo provë ta çojnë te organet kompetente”, tha Kushi.