Guvernatori i Banksë së Shqipërisë, Gent Sejko prezantoi sot në Kuvend raportin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2020 ku, theksoi se “masat e Bankës Qendrore rezultuan të suksesshme në ruajtjen e stabilitetit monetar dhe lehtësimin e impaktit të krizës në ekonomi, që krijoi pandemia COVID-19”.
“Ekonomia jonë gëzon premisat për një rimëkëmbje të shpejtë në të ardhmen dhe viti 2021 pritet të shënojë një kthesë pozitive në drejtim të gjallërimit të ekonomisë së vendit” – deklaroi Sejko.
Banka e Shqipërisë, vijoi Guvernatori, përmbushi detyrat në lehtësimin e qasjes së sektorit bankar, ndaj biznesit dhe individëve.
“Miratuam ndryshime rregullatore që shtynë këstet e kredive me 6 muaj, dhe ristrukturim të tyre. Pezulluam shpërndarjen e dividentit për sektorin bankar. Eleminuam kostot e platformave elektronike të bankave duke sugjeruar pagesa elektronik. Masat e marra kanë qenë efektive në reduktimin e ndikimeve nga pandemia. Ndërsa tregu financiar rezultoi i qetë dhe likuid”,- tha ai.
Sipas tij, kredia për sektorin privat u rrit me 6.7% gjatë vitit 2020. Ndërsa 23 mijë biznese e familje përfituar nga moratorium i kredive”.
“Pavarësisht sfidave, veprimtaria e sektorit bankar u shfaq e qëndrueshme. Gjatë vitit 2020, aktivet e këtij sektori u rritën me rreth 7%, rezultati financiar mbeti në territor pozitiv, kapitalizimi i tij mbetet i kënaqshëm, ndërsa raporti i kredive me probleme zbriti në 8.1% në fund të vitit. Ekspozimi i drejtpërdrejtë i aktivitetit të sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut mbetet i kontrolluar. Vlerësimet e industrisë bankare dhe ushtrimet e provës së rezistencës, sugjerojnë se kapacitetet e sektorit bankar janë të mjaftueshme për të përballuar rritje potenciale të tyre”- deklaroi Guvernatori.
Duke u ndalur në pritshmërinë ekonomike, Sejko theksoi se ” Hapja e ekonomive partnere, vaksinimi i popullsisë, dhe stimuli monetar e fiskal në vend do të mbështesin zgjerimin e aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2021 dhe atij 2022. Megjithatë, pasiguritë mbi këto pritje mbeten të pranishme dhe probabiliteti i goditjeve të tjera negative në të ardhmen nuk është i neglizhueshëm”.
Guvernatori Sejko tha se “rimëkëmbja e plotë e ekonomisë dhe kthimi i qëndrueshëm i inflacionit në objektiv duhet të vijojnë të mbështeten nga stimuj makroekonomikë në afatin e shkurtër. Në afatin e mesëm dhe të gjatë, politikat ekonomike duhet të zhvendosen drejt një balance më të qëndrueshme midis nevojës për të ofruar stimul dhe nevojës për të ruajtur stabilitetin monetar dhe financiar”.