Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka zhvilluar sot një takim me studentë të Akademisë së Forcave të Armatosura, pas rihapjes së kësaj Akademie. Me një postim në Facebook, ku ka publikuar një foto mes studentëve të Akademisë së FA, Peleshi thotë se prioritet i Ministrisë së Mbrojtjes do të jetë modernizimi kësaj akademie sipas modeleve më të mira amerikane dhe evropiane.

Peleshi shton se viti i ri akademik do të fillojë me disa bashkëpunime të rëndësishme të cilat do u mundësojnë studentëve të rinj pajisjen me dopio diplome, pra bashkë me diplomimin ushtarak ata do të kenë edhe një formim në një degë tjetër civile.

“Fuqizimi dhe modernizimi i Akademisë së Forcave të Armatosura sipas modeleve më të mira amerikane dhe evropiane, me fokus teknologjinë dhe cyber security është prioriteti më i rëndësishëm i Ministrisë së Mbrojtjes. Viti i ri akademik do të fillojë me disa bashkëpunime të rëndësishme të cilat do u mundësojnë studentëve të rinj pajisjen me dopio diplome, pra bashkë me diplomimin ushtarak ata do të kenë edhe një formim në një degë tjetër civile. Entuziast nga bashkëbisedimi që pata sot me brezin e parë të bachelorit pas rihapjes së kësaj akademie”, shkruan Peleshi.

Pas 10 vitesh ndërprerje, Akademia e Forcave të Armatosura u rikthyer si institucion i arsimit të lartë në nëntor të vitit të kaluar.