Ish-kreu i SHISH Fatos Klosi i ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV komentoi shpalljen non-grata të ish-kryeministrit Sali Berisha nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Klosi u shpreh se ka pasur shumë faktorë që çuan në këtë vendim të DASH-it. Sipas Klosit amerikanët kanë përgatitur një dosje për Berishën dhe ajo tashmë ka ardhur në Shqipëri. Tani tha Klosi radhën e kanë prokurorët e SPAK-ut. “Natyrisht janë shumë faktorë që çojnë në një qëndrim të tillë. Ai duhet të ketë pasur një pozicion që lidhet me fitimet e padrejta, pavarësisht se u mbrojt duke thënë se nuk mori kurrë nga buxheti i shtetit.
Nuk janë vetëm të buxhetit të shtetit, janë të krimit të organizuar. Berisha është njëri nga më të rëndësishmit që e ka prekur demokracinë shqiptare. Ka vënë vijën e saj që nuk ka qenë kurrë demokrate. Demokracia shqiptare është shumë e brishtë. Faktet diheshin, këtu jam dëshmitar dhe unë. Është folur me Shërbimin Informativ Amerikan, janë diskutuar të gjitha figurat politike, me italianët ca më shumë. Populli i beson Amerikës. Në sytë e popullit Berisha nuk është më ai njeri që ka qenë, i paprekshëm, i pagabueshëm. Dhe i gabueshëm atje ku quhesh më i pastër, në ekonomi, në prona. Këtu quhet që ka bërë gabime.
Por kryesorja ka cenuar demokracinë. E bëri demokracinë tonë të ecte në rrugën e gabuar, në rrugën e konfliktit, përplasjes. Ne nuk e meritonim një gjë të tillë. U në shpresoj që kjo është faza e parë. Pastaj radhën e ka Prokuroria. Duhet ta marr qoftë në përgjithësi çështjen e tij. Mua më thanë që dosja është përgatitur dhe ka ardhur. Dosja nuk është e vogël.”, tha Klosi.