Arben Ristani është një ndër kritikët më të mëdhenj të Lulzim Bashës pas 25 prillit, që i janë bashkuar korit të atyre që kërkojnë largimin e tij, për ti hapur rrugën një procesi transparent e demokratik për Kryetarin e ri të PD.
Ish Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, ka thënë se “duhet të kemi shpresë që të fitojmë pas 4 vjetësh dhe jo të vijmë prapë këtu si sot. Nga Rama nuk presim asgjë tjetër. Rama i tillë mbetet. Kryetari ka thënë se “po ma hodhe njëherë është faji jot, po ma hodhe herën e dytë, është faji im. Tani meqë ta hodhi dy here, ik. Ke humbur 3 herë. Dhe një herë që fitove, e dimë të gjithë si fitove”.
Kë konsideron fitore të tij, Arben Ristani: “Fitoren” e Lulzim Bashës kundër Sokol Olldashit në garën për kreun e PD? Apo “fitoren” e Lulzim Bashës kundër Edi Ramës në vitin 2011, në garën për Kryeun e Bashkisë së Tiranës?
Nuk besohet ta këtë patur për garën e brendshme në parti, sepse po flitej për përballjet elektorale të Lulzim Bashës me Edi Ramën, ndaj me siguri e ka patur për “fitoren” që ka çerifikuar me firmën e tij kur ka qenë në krye të KQZ. “Fitoren” e Bashës që bëri “Kurban” Edi Ramën. Një “fitore” që e bëri Arben Ristanin edhe deputet, edhe Nr. 2 të PD, ndërkohë që tani vendin ia ka zënë Gaz Bardhi.
Nëse fjala është për “fitoren” në garën lokale të 10 viteve më parë, atëherë lindin pyetjet: A po e shantazhon Arben Ristani tani Lulzim Bashën, për ta rikthyer sërisht në kupolën reale drejtuese të PD, duke i kujtuar shërbimin special që i ka bërë duke ia rrëmbyer fitoren me 10 vota Edi Ramës?
Nëse kjo është e vërtetë, atëherë përse Arben Ristani nuk i shkon deri në fund, kësaj loje? Tani që krimi elektoral që ai ka bërë, është parashkruar dhe amnistuar, përse nuk e tregon të vërtetën që ka njollosur me turpin e përjetshëm standardet elektorale në Shqipëri? Përse nuk e thotë që Lulzim Basha ia ka vjedhur mandatin e Kryetarit të Bashkisë Edi Ramës, me firmën e tij, ashtu siç po kërkon me dëshpërim që të bëjë edhe me kolltukun e Kryeministrit?
Nëse Arben Ristani dhe shumë të tjerë që sot janë kundër Luzlim Bashës, nuk bëjnë një katarsis të thellë për atë që kanë bërë vetë, nuk kanë për ta fituar asnjëherë betejën me Lulzim Bashën. Sepse sa për hile, dihet që gjithmonë do fitojë, hileqari më i madh. E kur vjen puna për këtë, Lulzim Basha nuk ka patur e nuk ka për të patur asnjëherë, asnjë konkurent.
Lulzim Basha nuk mundet me hile sepse në atë lëmë është kampion bote, por vetëm me moral, me të vetmen armë që ai nuk e ka patur asnjëherë në politikë. Ndaj Arben Ristani e nisi që e nisi këtë lojë, ta çojë deri në fund. Ta hapi Kutinë e Pandorës brenda PD, e ti nxjerri të gjithë djajtë jashtë, për të nisur pastrimin që i nevojitet opozitës për tu rikthyer në shinat e duhura për tu riogranizuar për zgjedhjet e ardhëshme.
Ndryshe edhe Arben Ristani, edhe Bujar Nishani, edhe Arben Imami, edhe Fatbardh Kadilli dhe gjithë kritikët e tjerë të Lulzim Bashës sot, e kanë të sigurtë që tani humbjen përballë tij nesër. Sepse pas kësaj, kur ta ketë marë sërisht vulën e PD në dorë më 13 Qershor, Lulzim Basha nuk do ti falë më kurrë!/ALPE