Pas një viti të lodhshëm, i ngarkuar me ankth dhe stres nga pandemia, muaji maj po jep sinjale pozitive. Rastet ditore kanë rënë ndjeshëm duke shënuar nivelet më të ulëta të të infektuarve në raport me testimet e kryera.

Infeksionisti Pëllumb Pipero gjatë një bisede më skype për A2 CNN tregon se përmirësimi i situatës i dedikohet dy faktorëve kryesorë, imunizimit natyral pasi një pjesë e konsiderueshme e kanë kaluar koronavirusin dhe numrit të lartë të të vaksinuarve.

Mjeku Pipero shprehet i bindur se Shqipëria e kaloi fazën kritike nga pandemia. Për këtë i referohet rënies së thirrjeve nga pacientët e prekur me Covid si dhe uljes së ndjeshme të pacientëve të shtruar në Infektiv.

Pëllumb Pipero nuk nguron të bëjë dhe parashikime. Nëse vaksinimet do të vijojnë me këto ritme brenda muajit qershor, sipas tij, do të çlirohemi nga Covid-19.

Me përmriësimin e ndjeshëm të situatës edhe doktor Pipero i rekomandon ekspertëve të komitetit, lehtësimin e masave anti-covid. Ashtu si në ditët më të vështira të pandemisë, edhe në këtë periudhë, eskpertët ndajnë të njëjtin mendim. Në ambjente të mbyllura duhet të vijojë dhe mbajtja e maskës, madje edhe jashtë kur nuk ruajmë dot distancën.