Tek Piramida vijon puna me rimte të larta për qendrën më të madhe të teknologjisë digjitale në rajon.
Piramida e Tiranës po transformohet në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit, që do të mirëpresë mijëra të rinj për të mësuar gjuhën e kodimit, robotikë, design dhe programim, me mbështetjen e “Fondit të Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan” – AADF.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga puna që po kryhet tek Piramida.
“Vijon puna për qendrën më të madhe të teknologjisë digjitale në rajon, e cila do ta bëjë PIRAMIDËN adresën e fëmijëve dhe të rinjve të shekullit XXI. Një projekt transformimi arkitektonik i studios së famshme holandeze MVRDV”, -thekson Rama.
Projekti i rijetësimit të Piramidës parashikon një godinë transparente dhe plot dritë. Gjithashtu, projekti synon të krijojë simbolin e ri për Tiranën, ku ndërtesa të jetë e arritshme nga të gjitha anët. Piramida do të shërbejë si një lloj inkubatori për bizneset në fushën e inovacionit, artit dhe kreativitetit. Programet që do të ofrohen janë: animacion, zhvillimi i lojërave, kinematografia, web design, muzikë, shkrim, vizatim, dizajn grafik, modelimi 3D, programim, robotikë, grafika e lëvizjes, fotografi dhe media e re.