Juventusi fitoi 2-1 ndaj Atalantës mbrëmjen e kaluar, rezultat që i siguroi triumfin në Kupën e Italisë. Hera e 14-të në histori që bardhezinjtë fitojnë këtë trofe dhe i dyti si trajner për Andrea Pirlon në stolin e “Zonjës”. Trajneri italian nuk e fshehu kënaqësinë për këtë sukses.

“Kishim dëshirë të madhe për të fituar, donim ta merrnim me vete në shtëpi këtë trofe. Pavarësisht një sezoni jo pozitiv, u bëmë të gjithë në një mendje. Ishim fiksuar ta fitonim këtë kupë dhe mendoj se e merituam“, deklaroi Pirlo.

Një mbylle perfekte për Gianluigi Buffon, i cili zhvilloi ndeshjen e fundit me Juventusin. Portieri i përjetshëm do të largohet në fund të sezonit. Në janar feston 44-vjetorin e lindjes, por Gigi nuk ka ndërmend të ndalet dhe sezonin e ardhshëm do e shohim diku tjetër.

“Mbyllja perfekte, finalja perfekte“, shkruan në Twitter legjenda e portës bardhezi. “Veterani” e zhvilloi të plotë ndeshjen. Pavarësisht viteve të shumta që mban mbi supe, Buffon vijon të tregojë një formë të mirë dhe të fitojë.