Aktori dhe poeti i njohur Çun Lajçi prej disa ditësh ndodhen nën kujdes intensiv të spitalit ku po lufton me Covid. Ai ka marrë me qindra mesazhe nga miq dhe dashamirës, të cilët i urojnë shërim të shpejtë.
Lajçi nga spitali ku është shtruar, vazhdon dhe shkruan, duke mos u dorëzuar përballë sëmundjes. Ai sot ka ndarë me ndjekësit e tij një tjetër artikull, ku iu kërkon dy kryeministrave, të Kosovës dhe Shqipërisë, që të bashkëpunojnë për të mirën e një populli të përbashkët dhe jo për pushtetin e tyre.
“Rama s’asht grek as serb, sa do miq n’i pastë, as ma i largët se kinezi e AstraZeneku s’asht, po lidhni miqësi t’rea e punoni si dy vllazën, se ne kemi zgjedhje për kryeministra, ju jo, se popull t’jetër s’keni!”, thotë Lajçi, “Gati si sot”, që s’pjerdhi kush prej pushtetarve, për t’cilët aq shumë shkrova e recitova!”, theksoi ndër të tjera shkrimtari.
Vetëm për juve!
Nga Çun Lajçi
N’luftë isha artist, me pak dhe n’plis, që mundohesha me iu frymëzue me gjenialitetin e Hamzës e bacit Adem, tue u mundua me përcjellë heroizmin e tyne, të ushtarët, që mbetën pa Gjeneralin!
S’isha poet as shkrimtarë, asnjiherë gazetarë, e sot i shtrimë me sisteme infuzionësh n’duer, bahem reporter zori nga dhoma e të prekunve nga covidi!
Shkruej se m’dhembë ajo që shoh tek pacientët që kollitën, nxjerrin kelbaz ngjyrë vishnje e gjëmojnë, e Ai jam edhe unë.
Bukë na binë, e nuk ankohem fare (artistët dikur ishin modest).
Ilaçet vinë me rregull (ato që i ka spitali), por ato të shtrenjtat i blejmë vet, se shteti “s’ka”!
N’fakt unë s’e mbaj mend kur ka pasë, që kur na e sollën lirinë.
Ndoshta pse unë mbaj mend spitalet e Titos, kur kishte pastërti e barna plot, ani pse ishim shqiptarë!
Mbaj mend kur ishte gjallë dr. Ali Sokoli, sepse mora kallje mushknishë, n’provat gjenerale t’nji shfaqje, e shteti dy herë n’ditë vinte n’banesën me qëra dhe m’ipte infuzion e Penicilinë t’500-tve, dhe mushkni t’pjekune, e pra Çun 24 vjeç isha e shqiptarë edhe pa pare!?
Por m’thojshin n’gjuhën e tyne: Artist je, e na duhësh!
“Gati si sot”, që s’pjerdhi kush prej pushtetarve, për t’cilët aq shumë shkrova e recitova!
Për veti e paçin, se thiut s’po mujshe veç kimet me ia krua, se po dinte edhe anash me t’ra!
E unë budalla nisa me shkrua drejt, se nuk durova, e sakicë kambës i rashë!
Nejse, e lash se hina ku t’rrujnë edhe pa brisk!
Po shoh e po shkruej, se zemra po m’dhemb, kur po e shoh filanën tue i ndejt burrit të kryet e tue ushqye si fëmiun. Tue i dhanë me pipëza langje, se ketu t’vjen me vjellë m’u afrue të kroni i dhomës ujë me pi.
Aty kryhet edhe urinimi i plakut se s’mundët pa oksigjen n’ËC me shkua, e kush s’e çon.
Ky afër meje, nevojën e madhe e kryen n’krevat, e dhoma kuterbon e mua me vjen me vjellë, e oksigjeni me duhet e nga erë m… s’muj marr frymë, e s’muj ankohem se të smutë jemi e s’kemi faj!
Dhe n’ket gjendje shkruej, se para syshë m’dalin ministrat e pispillosun qe nga Urani, Vitia, Zema e prap Vitia, që na rrejshin se sa shumë kemi ba për shëndetësi!? E ne, nji gotë ujë s’guxojmë me pi, se s’asht Hotel Dukagjini me ndejt pastruesët ditë-natë tue pastrua, as spital evrope me ra n’gjuj e mos mu përly!
Jemi Kosovë që zgjedhim shumë e kurgja s’kemi.
Si për gjynah na e falën nji pako vaksina e gati e përpimë aeroportin me falenderime.
Por vllaun tonë, edhe përkundër gjithë atyne vaksinave për përsonelin shëndetsorë, nji fjalë falendërimi nga pushteti s’e ndëgjova. Por gjetëm fjalë refuzimi, kur vllau (i keq apo i mirë) na ofroi ate që e kishte marrë për vete, e Albini jo i tha Ramës, ne s’kemi, por rusët e kinezët s’i duem! Veç që s’tha si Ramiz Alia: hamë barë e nuk dorëzohemi!
Sa gabim!
Ma e leht deka se vaksina e vllaut!
As nji kontratë, as nji datë, as nji shpresë e ministri me Kryeministrin gjejnë kime n’ve! Zgjedhin vaksina evropiane e Evropa i merr edhe vet nga lloj-lloj tregu!?
Unë i shtrimë them: S’e kanë punën të prodhuesit, por të mendjemadhësia e vetbesimi i tepruem. Tue harrue se kapuçbardhët i don Evropa por jo kokë pamukët!?
Zbritni n’tokë se n’retë e bardha ecën para jush tri parti që 20-të vjet, por na rruen për lesh, bile ju, që edhe ne iu deshtëm, hapni sytë e mos ecni rrugëve të tyne, se ne po vdesim për nji vaksinë, për nji ilaç!
Rama s’asht grek as serb, sa do miq n’i pastë, as ma i largët se kinezi e AstraZeneku s’asht, po lidhni miqësi t’rea e punoni si dy vllazën, se ne kemi zgjedhje për kryeministra, ju jo, se popull t’jetër s’keni!
Albin zbrit me të dya kamtë n’tokë, se njena s’ka zbritë hala e hapi sytë, se rrugët e malit e t’natës, nuk janë via të drejta, e n’fund mund t’kenë edhe gropa!
Bukën vllaut mos ia refuzo, se sofrat t’nemin, e arat t’i merr egjra.
Shqipëria nderohet tue ia nderua Kryeministrin se je vet Kryeministër e ma mirë se unë e din!
M’falni që fola, por shumë po shoh e kjo po m’vret!
Pulmologji, 04.05.2021